Ngushtimi i rrugës që po shkakton aksidente të shumta

20 tetor 2025 | 22:56

Rrëshqitja e dheut në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, në afërsi të fshatit Sllatinë të Vushtrrisë, prej vitesh po rrezikon jetën e qytetarëve dhe po vështirëson qarkullimin e automjeteve.

Për shkak të shpejtësisë së lartë në këtë pjesë të rrugës dhe ngushtimit që ka ndodhur si pasojë e shembjes së dheut, kjo zonë është kthyer në rrezik për aksidente të shumta.

Banorët që jetojnë afër magjistrales thonë për RTK se ka vite që kërkojnë zgjidhje, por institucionet nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për ta sanuar gjendjen.

Duke qenë së shpejtësia e automjeteve është e madhe në këtë magjistrale, ky ngushtim rruge po shkaktohen aksidente të shumta. Madje, dëshmi e kësaj janë edhe pjesë të veturave që janë prezent në këtë rrugë.

Për më tepër kur terri bie, aksidentet pothuajse janë të shpeshta.

“Këtu rrezik që po bëhet për jetë të njeriut më së shumti për kerre. Ka raste që çdo natë rrotullohet ndonjë veturë, vijnë policia, vijnë këta të qeverisë, e askush hapa nuk merr për këtë, nuk e kam për veti por për qytetarët e Kosovës se po shkojnë njerëzit pa kurgjo hiç…”, ka thënë banori Halil Xhafa nga fshati Sllatinë e Vushtrrisë.

Banorët e fshatit Sllatinë, që jetojnë afër kësaj magjistraleje, thonë se kjo shembje e rrugës ka vite që është kështu.

“Kjo është qe 5-6 vite, prej që u rregullua autobani këtu, kjo është rrezik siç po e shihni edhe vet çdo ditë e Zotit këtu ndodhin ndeshje, e kanë hequr dy herë dheun po prapë është shembë, plus krejt kështu asfalti është ngrit përpjetë”, ka thënë banori Din Xhafa nga Sllatina.

Lidhur me këtë, në një përgjigje përmes telefonit nga Ministria e Infrastrukturës, kanë thënë se është hartuar një projekt i sanimeve nëpër autostradat e Kosovës, derisa për rastin konkret do të provohet largimi i dheut, ndonëse rreziku i rishembjes ekziston. Megjithatë, një sanim i kësaj pjese të magjistrales, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, do të ndodhë së shpejti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari aktual i Pejës dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të…