
Nikolla kërkon nga presidentit austriak ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në KE
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka pritur të hënën në takim presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili po zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri.
Nikolla e ka falënderuar Van der Bellen për marrëdhëniet të shkëlqyera e dinamike si edhe bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve tona.
“Me Austrinë kemi një bashkëpunimin intensiv parlamentar dhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Këshillit Kombëtar, për ngritjen në Kuvendin e Shqipërisë të Punishtës së Demokracisë, e cila po zbatohet dhe po krijon një model shume pozitiv për edukimin demokratik e qytetar të rinisë”, ka thënë ajo.
Më tutje, Nikolla ka shprehur mirënjohjen ndaj Austrisë për rolin shumë të rëndësishëm në suksesin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë negociatave.
Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen në procesin e reformave, në veçanti të reformës në drejtësi dhe vullnetin e Shqipërisë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e ekonomisë, rendit publik, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, krimit kibernetik, ndihmën ndaj agjencive ligjzbatuese, arsimit e formimit profesional etj.
Në këtë takim, Nikolla ia ka shprehur presidentit Alexander Van der Bellen kërkesën për mbështetjen e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ndërsa Alexander Van der Bellen e ka falënderuar kryeparlamentaren Nikolla për takimin dhe ka vlerësuar progresin e Shqipërisë drejt BE-së si edhe mbështetjen popullore për integrimin evropian, arritjet e reformave dhe mundësitë e gjera të bashkëpunimit dypalësh në fusha si bujqësia, arsimi etj.
Presidenti austriak ka shprehur mbështetjen e Austrisë për dialogun Kosovë-Serbi dhe zbatimin e planit evropian si e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetin në rajon.