Nikolla: Këshilli i Evropës do të jetë i paplotë derisa ta pranojë Kosovën

22 tetor 2021 | 14:24

Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla mori sot fjalën në konferencën e kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, në Athinë, ndërsa vuri theksin në kontinentin evropian, si kontinenti i asimetrive, dhe më konkretisht në dallimin midis vlerave që qëndrojnë në themel të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve të disa vendeve anëtare të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka thënë se vlerat evropiane janë të pagarantuara, me Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së dhe Kosovën jashtë Këshillit të Evropës.

“Këshilli i Evropës do të mbetet i paplotë, derisa ta pranojë Kosovën, shtetin më të ri të Evropës, një shtet i ri i krijuar nga Evropa atlantike, bashkë me aleatët strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ajo.

“Asimetria tjetër lidhet me gjendjen e sotme në Bashkimin Evropian dhe ngurrimet në hapat e zgjerimit. Po hyjmë në dekadën e katërt të valës së demokratizimit në kontinent dhe kufijtë gjeografikë e kulturorë të Evropës, janë ende larg kufijve politikë të saj, Bashkimit Evropian. Në emër të së ardhmes së përbashkët të qytetarëve të saj, Evropa duhet të afrojë kufijtë politikë me kufijtë e saj gjeografikë”, ka deklaruar Nikolla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka vazhduar me aksionet…