Nimani: Mungesa e miratimit të buxhetit të vitit 2026 brenda afatit ligjor, alarm serioz për shtetin tonë

03 tetor 2025 | 12:33

Profesori universitar Artan Nimani ka thënë se mungesa e miratimit të buxhetit të vitit 2026 brenda afatit ligjor është një alarm serioz për shtetin tonë.

“Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (Nr. 03/L-048), i ndryshuar dhe plotësuar më vonë, është i qartë: Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar të miratojë buxhetin para përfundimit të vitit fiskal, përkatësisht deri më 31 dhjetor. Në të kundërtën, të gjitha ndarjet buxhetore skadojnë dhe vendi hyn në një vakum financiar e institucional”, ka thënë ai.

Nimani ka theksuar se pasojat nuk janë thjesht teknike, ato prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. “Pa buxhet të miratuar: Administrata publike rrezikon të mbetet pa paga. Projektet kapitale dhe zhvillimore ndalen menjëherë. Bizneset që varen nga kontratat publike mbeten pezull. Shërbimet bazike për qytetarët dobësohen. Ligji njeh vetëm një mundësi zgjatjeje të përkohshme të shpenzimeve, për maksimum tre muaj, në rast vonesash apo zgjedhjesh, duke u bazuar në një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraprak. Pas këtij afati, asnjë institucion nuk ka të drejtë të kryejë shpenzime, përveç shlyerjes së borxhit publik të ligjshëm”, ka thënë profesori Nimani.

Ai ka thënë se ky është standard i njohur edhe në praktikat ndërkombëtare të menaxhimit fiskal, ku vonesat në miratimin e buxhetit konsiderohen rrezik për stabilitetin makroekonomik dhe besueshmërinë e shtetit.

“Nëse lejojmë që vendi të mbetet pa buxhet, atëherë jo vetëm që paralizohet qeverisja, por cenohet edhe kontrata sociale mes shtetit dhe qytetarëve. Në një kohë kur ekonomia është e brishtë dhe varfëria prek çdo ditë më shumë familje, mungesa e përgjegjësisë politike do të ishte goditje fatale. Unë nuk dua të imagjinoj Kosovën pa buxhet të miratuar. Përgjegjësia është mbi supet e përfaqësuesve të Kuvendit dhe të Qeverisë, ligji është i qartë, praktikat janë të njohura, pasojat janë të parashikueshme. Të luash me buxhetin do të thotë të luash me jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vendit tënd”, ka shkruar Nimani në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-banorja e ‘Big Brother VIP Kosova’ Sara Kolami vazhdon të…