
Nis punimet samiti i Procesit të Berlinit në Londër
Në Londër ka nisur Samiti i Procesit të Berlinit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mbërriti në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, ku u prit para hyrjes në Samit nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Në këtë takim po marrin pjesë edhe liderët tjerë të Ballkanit Perënidmor.
Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Në takim, Kurti shprehu mirënjohjen për rolin e Britanisë në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një partner strategjik dhe mik të përhershëm.
Procesi i Berlinit është një nismë e ish- kancelares gjermane Angela Merkel, që bashkon qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë.
Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet për një përafrim më të ngushtë me Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor.