Nisën punimet në rrugën Korishë – Kabash, lidhje me rrugën rajonale R-118
Kanë nisur punimet në projektin rrugor Korishë – Kabash, në gjatësi prej 6.7 kilometrash, që krijon lidhje me rrugën rajonale R-118 dhe përforcon lidhjen e kësaj zone me pjesët tjera të rajonit të Prizrenit.
Në ceremoninë e nisjes morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, deputetët Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj, si dhe aktivistë e qytetarë.
Ky projekt, me vlerë prej 4.1 milionë euro, financohet plotësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe është një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe qasjes për banorët e kësaj zone.

Përmes këtij investimi synohet lidhja më e mirë e kësaj ane me rrjetin rrugor, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe turistik. Bukuritë natyrore të kësaj zone, të kombinuara me këtë investim, pritet të rrisin potencialin dhe atraktivitetin e saj.



