
Nisin hetimet për vdekjen e punëtorit në Skënderaj, Policia: 44-vjeçari u gjet i shtrirë në vendin e punës
Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me vdekjen e një punëtori të ndërtimtarisë në vendin e tij të punës në Skënderaj. Rasti ka ndodhur në rrugën “17 Shkurti”, ku Policia thotë se është njoftuar se i njëjti kishte probleme shëndetësore dhe se gjendej i shtrirë..
Përmes një njoftimi, Policia ka bërë me dije se rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe se hetimet do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit.
Viktima është një 44-vjeçar.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e poashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa iniciohet rasti ,,Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Lajmin për vdekjen e 44-vjeçarit e ka konfirmuar fillimisht Kryetari i Komunës, Fadil Nura.