Nisin takimet në Bruksel

07 shtator 2020 | 11:24

Në Bruksel sot janë duke u zhvilluar takimet në nivelin e lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga i cili Bashkimi Evropian pret edhe rezultate konkrete.

Tashmë ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Një takim bilateral me zyrtarët e BE-së më pas do e zhvillojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh, më saktësisht takimi i Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.

Ato janë: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Për këto tema është diskutuar në Bruksel edhe të shtunën e të dielën, në nivel të ekspertëve.

Pas këtyre takimeve, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka pasur përafrim të qëndrimeve dhe se mund të ndodhë që të arrihet pajtim.

Por, Hyseni ka thënë se secila temë mund të jetë vetëm pjesë e një marrëveshjeje të vetme finale, e jo marrëveshjeje individuale.

Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara,Donald Trump.

Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.

Këto takime, në të cilat kanë marrë pjesë dy diplomatë të lartë nga BE-ja dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, konsiderohen si dëshmi për një angazhim më të madh të ShBA-së në dialogun e Brukselit, por edhe si mbështetje për rolin udhëheqës të BE-së, si lehtësuese e dialogut në aspektin politik dhe në kërkim të marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Burimet e BE-së kanë paralajmëruar më parë se në këtë takim mes kryeministrit të Kosovës, Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, do të diskutohen edhe temat e kërkesave financiare e pronësore mes palëve, si dhe çështjet e lidhura me komunitetet joshumicë në Kosovë.

Hoti, edhe para këtij takimi në Bruksel, ka thënë se të vetmen marrëveshje të suksesshme e sheh atë që rezulton me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka…