
Nisma ndalon aktivitetet zgjedhore në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë
14 shtator 2025
| 13:21
Sot me fillim nga ora 14:00, në Hagë do të mbahet një protestë kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen atje.
Përkrahje kësaj proteste përkrahje i ka dhënë edhe Fatmir Limaj, një nga ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate.
“Unë jam me ta, pa asnjë rezervë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare, të sakrificës dhe dinjitetit kombëtar”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Limaj ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet nga akuzat e padrejta.
“Lufta jonë ka qenë dhe mbetet luftë çlirimtare e drejtë, për liri dhe demokraci, e përkrahur nga miqtë dhe aleatët tanë që njohën të vërtetën e kauzës sonë”, ka shkruar ai.
Në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë, NISMA ka vendosur që sot të mos zhvillojë aktivitete zgjedhore.
“Sot zgjedhim të jemi me ju, me drejtësinë dhe me të vërtetën. Bashkë duhet të punojmë që zëri i popullit të dëgjohet, që sakrifica e një populli të mos njolloset dhe që drejtësia të triumfojë”, ka shkruar Limaj.