Nisma në Malishevë: Kurti po e injoron komunën më të prekur nga koronavirusi

07 prill 2020 | 13:24

Dega e Nismës në Malishevë ka shprehur pakënaqësinë e saj me trajtimin që është duke  qeveria në detyrë kësaj komune pavarësisht se është më e prekura nga koronavirusi në Kosovë.

Në një konferencë për medie, Vesel Krasniqi, në emër të kësaj dege ka thënë se Malisheva është harruar në tërësi nga qeveria në largim.

Ai ka thënë se është e çuditshme se si kryeministri gjen kohë të vizitojë mediumin publik dhe komuna tjera ku ai ka elektorat, ndërsa nuk e viziton këtë komunë për t’i ofruar përkrahje.

“Kryeministri e ka futur komunën tonë që një muaj në karantinë, pa i dhënë asnjë ndihmë. Deri sot nuk kemi pas asnjë vizitë as nga ministri dhe zëvendësministri përkatës e as nga kryeministri. Në situata si kjo krizë komuna që është në gjendje të rëndë vizitohet dhe mbështetet, por në vend të kësaj ai viziton komunat e mëdha dhe RTK-në, por jo Malishevën”, ka thënë Krasniqi.

Me këto veprime, Krasniqi ka thënë se për Kurtin, Malisheva nuk paraqet interes dhe as nuk dëshiron ta vizitojë.

Më tutje, ai ka thënë se Malisheva dhe Llapusha ia kanë dalë edhe në rrethana më të vështira dhe do t’ia dalin edhe tash.

“Fal shpirtit solidar e luftarak do ta fitojnë edhe këtë betejë”, ka thënë Krasniqi, duke bërë thirrje për më shumë furnizime me masa mbrojtëse për stafin e qendrës së mjekësisë familjare dhe qytetarët e kësaj komune.

Po ashtu, ai ka kërkuar që të rritet numri i testimeve në këtë komunë.

Në fund të kësaj konference ai ka përmendur edhe diskriminimin që i ka bërë kjo qeveri Malishevës në projektbuxhetin për vitin 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sezoni i katërt i “Money Heist” sapo është publikuar në…