Nitaj: Pres që Kushtetuesja do ta legjitimojë vullnetin politik të shumicës

08 maj 2020 | 16:45

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, pret që Gjykata Kushtetuese do ta përfillë dhe respektojë vullnetin e shumicës së deputetëve.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se është e pakuptim përmbysja vullnetit politik të shumicës.

“Nëse shumica e të zgjedhurve, deputetëve, vendos të zgjedh e ta votojë një qeveri tjetër, kjo duhet të përfillet e të respektohet. Qeveritë në këtë vend rrëzohen e zgjedhën në Kuvend. Nuk ka mënyrë tjetër. Nisur nga kjo premisë, unë pres që Gjykata Kushtetuese do ta legjitimojë vullnetin politik të shumicës të shprehur me votë në Kuvend”, ka thënë Nitaj.

Ai ka treguar edhe arsyet pse AAK-ja ka vendosur të bashkëpunojë me LDK-në.

“Arsyeja pse kemi vendosur ta mbështesim LDK-në, si mandatare për krijimin e qeverisë së re, është se çështjet që na bashkojnë janë shumë më shumë se sa ato që na ndajnë. Natyrisht ne jemi dy parti politike dhe për shumë gjëra kemi qëndrime të ndryshme, por nëse jemi në një vijë për çështjet me interes nacional e për shtetin, atëherë gjithë çështjet tjera harmonizohen më lehtë”, është shprehur Nitaj.

Nitaj në këtë intervistë ka folur edhe për objektivat që duhet t’i këtë qeveria e re.

Sipas tij, menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë së dëmtuar nga pandemia duhet të jenë objektivat kryesore të qeverisë së re. “Kjo domethënë ndihma e domosdoshme financiare për bizneset që tashmë janë në prag të falimentimit. Kjo do të jetë detyra e parë. Natyrisht, kësaj qeverie i mbetën edhe plot detyra të tjera, siç janë dialogu me Serbinë, forcimi i sektorit privat përmes pakos fiskal e prioritete të tjera”, ka deklaruar Nitaj.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, si e ka menaxhuar pandeminë qeveria në detyrë. A ka mundur të bëhet diçka më mirë?
Nitaj: Janë ndërmarrë një sërë masash dhe disa prej tyre kanë qenë efektive. Natyrisht se ka mundur të bëhej shumë më shumë. Unë nuk i kam arsyetuar asnjëherë masat ekstreme të kufizimit të lirisë së qarkullimit, dhe edhe më pak kohëzgjatjen e tyre. Masat e para janë shpallur edhe kundërkushtetuese dhe qeveria nuk ka reflektuar në korrigjimin e tyre. Përkundrazi ka vazhduar me avazin e vjetër. Kanë bërë punë të jashtëzakonshme institucionet profesionale, Instituti i Shëndetit Publik, mjekët, infermierët, komunat, policia e kështu me radhë, por ka munguar truri që do ta bënte koordinimin e veprimeve të përgjithshme.

“Epoka e re”: AAK-ja përkrahu mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti dhe ka bërë një marrëveshje me LDK-në për t’u bërë pjesë qeverisë së re. Pse vendoset të jeni pjesë e qeverisë së re?
Nitaj: Përcaktimi i Aleancës që të bëhet pjesë e një qeverie të re, ka qenë i mbështetur në një parim fare të natyrshëm. Ne kishim vlerësuar se vendit, në vend të një qeverie të shkarkuar i duhej një qeveri i votuar. Është problem që një qeveri e përmbysur me dy të tretat e votave, apo edhe më shumë, ta vazhdojë qeverisjen e vendit. Arsyeja pse kemi vendosur ta mbështesim LDK-në, si mandatare për krijimin e qeverisë së re, është se çështjet që na bashkojnë janë shumë më shumë se sa ato që na ndajnë. Natyrisht ne jemi dy parti politike dhe për shumë gjëra kemi qëndrime të ndryshme, por nëse jemi në një vijë për çështjet me interes nacional e për shtetin, atëherë gjithë çështjet tjera harmonizohen më lehtë.

“Epoka e re”: Tashmë kemi një mas të Kushtetueses e cila e pezullon dekretin e presidentit për mandatarin e ri për kryeministër. Cili pritni të jetë verdikti final i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje?
Nitaj: Nuk dua t’i përzihem në punë Gjykatës Kushtetuese. Ajo e ka të drejtën e interpretimit dhe të vendimit final. Por për mua është e pakuptueshme që të përmbyset vullneti politik i shumicës. Nëse shumica e të zgjedhurve, deputetëve, vendos të zgjedh e ta votojë një qeveri tjetër, kjo duhet të përfillet e të respektohet.
Qeveritë në këtë vend rrëzohen e zgjedhën në Kuvend. Nuk ka mënyrë tjetër. Nisur nga kjo premisë, unë pres që Gjykata Kushtetuese do ta legjitimojë vullnetin politik të shumicës të shprehur me votë në Kuvend.

“Epoka e re”: LV-ja këmbëngul se vetëm fituesi mund ta bëjë qeverinë, duke mos u deklaruar rreth respektimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Si i keni parë qëndrimet e tyre?
Nitaj: Askush nuk e ka të drejtën që ta bllokojë një proces politik të krijimit të institucioneve. Është e vërtetë që ata, të parët, e kanë të drejtën e krijimit të një qeverie tjetër, por nuk mund ta sabotojnë procesin duke mos u përgjigjur. Kushtetuta nuk merret me gjëra të parëndësishme dhe plot prej tyre i ka lënë si të nënkuptueshme. është e saktë që i pari e merr drejtën për krijimin e një qeverie, por ai duhet të përgjigjet brenda një afati të logjikshëm, e jo të mbarohet sikur nuk ka ndodhur asgjë, e të zgjedh mos me u përgjigj. Ai që nuk do ose nuk mundet për të krijuar qeverinë, duhet të lëshojë rrugë.

“Epoka e re”: Cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet e qeverisë së re dhe çfarë pritje keni ju nga ajo qeveri?
Nitaj: Është menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja e ekonomisë së dëmtuar si pasojë e pandemisë. Kjo domethënë ndihma e domosdoshme financiare për bizneset që tashmë janë në prag të falimentimit. Kjo do të jetë detyra e parë. Natyrisht, kësaj qeverie i mbetën edhe plot detyra të tjera, siç janë dialogu me Serbinë, forcimi i sektorit privat përmes pakos fiskal e prioritete të tjera.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi Prishtina ka kërkuar nga qeveria kosovare ta lejojë rinisjen…