
Nitaj: Mosmarrëveshjet LV-LDK më të thella se një post presidenti
Ishe-deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka komentuar bisedimet për bashkëqeverisje në mes të LV-së dhe LDK-së, të cilat po zhvillohen prej përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se mosmarrëveshjet midis këtyre dy subjekteve politike janë më të thella se sa një post presidenti apo ministri.
Sipas tij, në LDK nuk janë të gatshëm ta pranojnë rolin e një partneri të nënshtruar në një qeveri Kurti
Postimi i plotë i Nitajt:
Mosmarrëveshjet midis VV-së dhe LDK-së duket se janë më të thella se sa një post presidenti apo ministri, ose janë shumë më serioze se sa kaq. Është pak e besueshme që LDK të ngul këmbë për kaq pak, por problemi mund të jetë diku tjetër!
Më gjasë shumë në LDK, nuk janë të gatshëm ta pranojnë rolin e një partneri të nënshtruar, për të mos thënë të poshtëruar në një qeveri Kurti!
Ky i fundit tashmë i ka ndërmarr disa veprime që mund të kuptohen edhe si përpjekje për nënshtrimin e partnerit, sado që nuk e ka fare problem t’i ndërroje qëndrimet edhe në momentet e fundit.
Te vëmendshmit mund ta vërejnë se Albin Kurti po shpërfaq synime më të mëdha se sa postin e kryeministrit të Kosovës. Me gjasë atij i është mbushur mendja për rrugën e një lideri PanShqiptar, nëse ia rroke natyrisht!
Dhe nuk përjashtohet që në përpjekje për të marre gjithçka, të mbetet pa asgjë, ose që grupi i interesxhive brenda LDK-së, mos të shohë asgjë përtej posteve ministrore dhe mandatit të deputetit, dhe ta pranojë një marrëveshje sado e pafavorshme qoftë ajo për LDK-në!