Nitaj: Opozita ishte e interesuar të dështojë rezoluta për dialogun

04 nëntor 2018 | 12:46

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishin të interesuara të dështojë rezoluta e kësaj të fundit për dialog me Serbinë të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka deklaruar se opozita nuk ishte e interesuar të ketë pajtim me pozitën për këtë çështje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se partitë e koalicionit qeverisës ishin të gatshme ta plotësonin me propozime këtë rezolutë por, sipas tij, një gjë e tillë u refuzua nga opozita pa ndonjë arsye.

“Opozita nuk ishte e interesuar të kishte pajtim për këtë çështje, sepse duket se ishte e interesuar të dështojë. Për LDK-në dhe LV-në më e rëndësishme ishte forma sesa përmbajtja. Ata e kishin një propozim që rezoluta të plotësohej edhe me pika të shumicës, që ishin shumë korrekte, të plota dhe të favorshme, por pashpjegueshëm i refuzuan. Unë e kam ditur që në mëngjes që rezoluta do të dështonte, sepse dukej se nuk kishte gatishmëri që të kalohej. Edhe sikur të kishin debatuar me javë, nuk do të kishte marrëveshje”, ka thënë Nitaj.

Ai nuk ka dashur ta komentojë shumë se pse disa deputetë të LDK-së dhe të LV-së nuk morën pjesë fare në votimin e rezolutës së LDK-së, por ka shtuar se nuk e ka kuptuar mungesën e liderit të LV-së, Albin Kurtit, në këtë votim.

Nitaj ka treguar se pozita nuk do të ndalet së kërkuari konsensus kombëtar për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.

“Besoj se nuk do të rreshtin përpjekjet për konsensus. Por, sa i përket ekipit, unë nuk e kuptoj pse Qeveria kërkon votim në kuvend. Ajo e ka mandatin ta caktojë ekipin vetë. Ajo duhet të ketë kujdes që marrëveshjen ta bëjë të atillë që të marrë dy të tretat e votave, se ekipi nuk është punë e Kuvendit. Platforma po”, ka vlerësuar Nitaj, duke shtuar se nëse nuk arrihet konsensusi, dikush tjetër do të vendosë për këtë çështje. “Ne ka vite që nuk funksionojmë pa shtytjen e të tjerëve. Po duket se një pjesë e jona votojmë, qoftë edhe për interes të vendit, vetëm kur s’kemi qare. Qeveria e kryeministri janë seriozë në këtë temë, por Kuvendi duhet ta marrë rolin e vet”, është shprehur Nitaj.

Deputeti i AAK-së ka thënë se nuk është bllokuar procesi për shkak të zgjedhjeve, por për shkak të vetëdijes që kemi.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, të enjten ka dështuar edhe një përpjekje e Kuvendit të Kosovës për të arritur një konsensus për dialogun, ku opozita nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme për ta miratuar projektrezolutën e propozuar nga LDK-ja. Pse pozita nuk e përkrahu këtë iniciativë të opozitës?
Nitaj: Sepse opozita nuk ishte e interesuar të kishte pajtim për këtë çështje, sepse duket se ishte e interesuar të dështojë. Për LDK-në dhe LV-në më e rëndësishme ishte forma sesa përmbajtja. Ata e kishin një propozim që rezoluta të plotësohej edhe me pika të shumicës, që ishin shumë korrekte, të plota dhe të favorshme, por pashpjegueshëm i refuzuan. Unë e kam ditur që në mëngjes se rezoluta do të dështonte, sepse dukej se nuk kishte gatishmëri të kalohej. Edhe sikur të kishin debatuar me javë nuk do të kishte marrëveshje. Për mua natyrisht është e pakuptueshme gjithë dita e djeshme. Të dëgjosh gjithë ditën se si flasin diçka e votojnë diçka tjetër, kjo mund të ndodhë veç në Kuvendin e Kosovës.

“Epoka e re”: Disa deputetë të LDK-së dhe të LV-së nuk morën pjesë fare në votim për projektrezolutën e LDK-së. Cili është komenti juaj për këtë?
Nitaj: Nuk më duket e rëndësishme kjo çështje. Ndoshta edhe ata e kishin kuptuar se do të dështonte rezoluta dhe kanë vendosur t’i kryenin punët personale. Dorën në zemër, nuk e kam kuptuar mungesën e Albin Kurtit, por edhe kjo është punë e tij.

“Epoka e re”: Edhe një tentativë e koalicionit qeverisës për dialogun ka mbetur në proces. A do të provohet që sërish të nxirret në votim miratimi i delegacionit të Qeverisë për dialogun me Serbinë?
Nitaj: Besoj se nuk do të rreshtin përpjekjet për konsensus por, sa i përket ekipit, unë nuk e kuptoj pse Qeveria kërkon votim në Kuvend. Ajo e ka mandatin ta caktojë ekipin vetë. Ajo duhet të ketë kujdes që marrëveshjen ta bëjë të atillë që t’i marrë dy të tretat e votave, se ekipi nuk është punë e Kuvendit. Platforma po.

“Epoka e re”: Çfarë nëse nuk arrihet të gjendet një konsensus në mes të pozitës dhe opozitës për platformën e bisedimeve Kosovë – Serbi. Do të vazhdohet ky proces pa një konsensus të tillë?
Nitaj: Nëse nuk arrihet konsensusi, kam frikë se dikush tjetër do të vendosë për këtë çështje. Bota nuk po ka kohë të merret me hajgarexhi. Ne ka vite që nuk funksionojmë pa shtytjen e të tjerëve. Po duket se një pjesë e jona votojmë, qoftë edhe për interes të vendit, vetëm kur s’kemi qare. Qeveria e kryeministri janë seriozë në këtë temë, por Kuvendi duhet ta marrë rolin e vet, nëse janë mirë në mend, por duket se dikush nuk është interesuar për këtë. Një pjesë e Kuvendit të vetmin interes e kanë për ta bërë sa më llugë!

“Epoka e re”: Zgjedhjet e reja do të mund ta qartësonin situatën politike në vend?
Nitaj: Edhe 100 herë mund të mbajmë zgjedhje dhe situata do të mbetet po kjo që është. Nuk është bllokuar procesi për shkak të zgjedhjeve, por për shkak të vetëdijes që e kemi. Ne nuk mund të ndërrojmë brenda natës. Do t’i mbeteshim të njëjtit edhe pas zgjedhjeve. Bile edhe Hashim Thaçi, për të cilin po bëhet gjithë kjo lëmë, do të mbetet president. Kishte një shans që Kuvendi ta disiplinonte, por nuk e bëri. Inshallah po u kthehet mendja e humbur deputetëve dhe po e kuptojnë rëndësinë e këtij procesi.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-Me rastin e botimit të “Fjalorit Enciklopedik të Kosovës” nga…