Niveli i përfaqësimit në dialog lë për të dëshiruar

02 shtator 2020 | 10:59

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë me dije se niveli i përfaqësimit dhe organizimit të dialogut nga Qeveria e Kosovës lë për të dëshiruar. Ajo ka kritikuar delegacionin e Kosovës që ka udhëtuar për në Uashington për përbërjen dhe mungesën e përvojës në bisedime.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Musliu-Shoshi ka thënë se ftesa që qeveria ia ka bërë opozitës për këtë takim kanë qenë joserioze. “Niveli i përfaqësimit dhe organizimit të dialogut nga Qeveria e Kosovës lë për të dëshiruar. Jemi dëshmitarë që ftesat që na u janë bërë si opozitë, kanë qenë aspak serioze. PDK-ja ka kuptuar përmes portaleve se është ftuar për një takim në mënyrë që të bëhemi pjesë e delegacionit. Kryetari Veseli i është përgjigjur në mënyrë serioze duke thënë se ne do ta mbështesim dialogun në parim”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Ajo ka vlerësuar se anëtarët e delegacionit të Kosovës do të duhej të ishin edhe ekspertë të ndryshëm me përvojë të madhe. “Përbërja e delegacionit e Kosovës ishte e madhe dhe shpresoj se do të shërbejë për ta ndihmuar kryeministrin në vendimet që do të merren. Mendoj se delegacioni i Kosovës do të duhej të përfaqësohej edhe me ekspertë me përvojë politike dhe diplomatike. Kosova nuk ka kohë të humbë në çdo periudhë të dialogut e sidomos kur tani ky proces është duke u konsideruar përfundimtar”, është shprehur ajo.

Anëtarja e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme ka rikonfirmuar edhe një herë se PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e dialogut. “PDK-ja do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit. Për ne është e rëndësishme marrëveshja që do të sjellë për miratim në Kuvend, e cila për ne duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë ajo.

Musliu-Shoshi ka treguar se komisioni për punë të jashtme nuk e ka pasur asnjë informacion për takimin e 4 shtatorit. “Si Komision për Punë të Jashtme ne i kemi mbajtur disa mbledhje, por në të cilat nuk kemi marrë as informacione sipërfaqësore për procesin e dialogut. Kurse sa i përket takimit të 4 shtatorit, ne nuk e kemi asnjë informatë zyrtare, përveç atyre që janë thënë në portale dhe studio televizive. Kjo tregon joseriozitetin e kryeministrit si udhëheqës i këtij procesi”, ka deklaruar ajo.

“Epoka e re”: Znj. Musliu-Shoshi, delegacioni i Kosovës ka udhëtuar për në Uashington për takimin e 4 shtatorit. Çfarë mendoni për përbërjen e këtij delegacioni?
Musliu-Shoshi: Siç u raportua në media, sepse si deputete nuk jam e informuar, përbërja e delegacionit e Kosovës ishte e madhe dhe shpresoj se do të shërbejë për ta ndihmuar kryeministrin në vendimet që do të merren. Mendoj se delegacioni i Kosovës do të duhej të përfaqësohej edhe me ekspertë me përvojë politike dhe diplomatike. Kosova nuk ka kohë të humbë në çdo periudhë të dialogut e sidomos kur tani ky proces është duke u konsideruar përfundimtar.

 “Epoka e re”: Si Komision për Politikë të Jashtme, a keni diskutuar për këtë çështje dhe cili është qëndrimi i komisionit për këtë proces të rëndësishëm për Kosovën?
Musliu-Shoshi: Si Komision për Punë të Jashtme ne i kemi mbajtur disa mbledhje, në të cilat nuk kemi marrë as informacione sipërfaqësore për procesin e dialogut. Kurse sa i përket takimit të 4 shtatorit, ne nuk e kemi asnjë informatë zyrtare, përveç atyre që janë thënë në portale dhe studio televizive. Kjo tregon joseriozitetin e kryeministrit si udhëheqës i këtij procesi.

“Epoka e re”: Pjesë e takimit të Uashingtonit nuk do të jetë opozita. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Muslu-Shoshi: Përfshirja e ShBA-së në procesin e dialogut është një momentum i ri i cili duhet të shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës. Si Parti Demokratike e Kosovës e kemi thënë që ku është ShBA-ja jemi edhe ne. Edhe ShBA-ja edhe BE-ja janë partnerë strategjikë të shtetit tonë, sidoqoftë niveli i përfaqësimit dhe organizimit të dialogut nga Qeveria e Kosovës lë për të dëshiruar. Jemi dëshmitarë që ftesat që na u janë bërë si opozitë, kanë qenë aspak serioze. PDK-ja ka kuptuar përmes portaleve se është ftuar për një takim në mënyrë që të bëhemi pjesë e delegacionit. Kryetari Veseli i është përgjigjur në mënyrë serioze duke thënë se ne do ta mbështesim dialogun në parim. PDK-ja do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit. Për ne është e rëndësishme marrëveshja që do të sjellë për miratim në Kuvend, e cila për ne duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

 “Epoka e re”: Disa herë edhe partnerët e koalicionit qeverisës kanë shfaqur dallime për procesin e dialogut me Serbinë. A dëmtohet pozicioni i Kosovës në këtë proces në mungesë të një konsensusi nacional për këtë çështje?
Musliu-Shoshi: Me Serbinë në përballje kemi fituar vetëm kur kemi qenë të bashkuar. Por, koalicioni qeverisës gjatë tërë kohës ka shfaqur dallime të mëdha për procesin e dialogut me Serbinë. Kjo medoemos e dëmton pozicionin e Kosovës në këtë proces për të cilin do të duhej të kishte konsensus nacional. E thashë edhe në pyetjen e sipërme, se për qeverinë do të duhej të dialogonte për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, e cila e garanton njohjen e ndërsjellë, që nuk e cenon sovranitetin shtetëror dhe që nuk e prek integritetin territorial. Përndryshe aspektet teknike që mund të sjellin përplasje të vazhdueshme në këtë proces nga partitë që e qeverisin vendin, do ta dëmtojnë Kosovën.

“Epoka e re”: A jeni informuar në ndonjë mënyrë si komision apo si deputete nga qeveria për takimin e 4 shtatorit në lidhje me atë se çfarë do të bisedohet atje?
Musliu-Shoshi: Përderisa unë jam duke iu përgjigjur gazetës suaj, kryeministri me delegacionin e madh ka aterruar në Uashington DC, duke mos dhënë asnjë informacion të përgjithshëm e as të hollësishëm për anëtarët në Komisionin për Punë të Jashtme, e as për Kuvendin në veçanti si institucion që buron nga Kushtetuta dhe populli i Kosovës. Ai nuk gjeti kohë për të ardhur në seancë e të raportojë shkurtimisht për takimin që do të ndodhë. Republika e Kosovës është demokraci parlamentare e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës. Pikërisht për këtë arsye për ne si deputetë është i rëndësishëm informacioni për këtë takim, sepse cilido diskutim, cilado marrëveshje, në fund duhet ta marrë miratimin tonë. Por, të shohim e të presim takimin në mënyrë që kur të mbërrijë kryeministri në Kosovë, të vijë menjëherë në Kuvend e të raportojë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” , Liridon Restelica, ka…