
Një copë Marsi po shitet në Tokë për 4 milionë dollarë
Një meteorit që është pjesa më e madhe e njohur e Marsit në Tokë pritet të shitet deri në 4 milionë dollarë kur të dalë në ankand më vonë këtë muaj.
I njohur si NWA 16788, meteoriti peshon 24.5 kilogramë, masiv krahasuar me shumicën e meteoritëve marsianë, të cilët kanë tendencë të jenë fragmente të vogla, njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
I zbuluar në nëntor 2023 në rajonin e largët Agadez të Nigerit, NWA 16788 është një “ekzemplar monumental” që është rreth 70% më i madh se pjesa tjetër më e madhe e Marsit e gjetur ndonjëherë në Tokë, sipas Sotheby’s.
Është gjithashtu tepër i rrallë: vetëm rreth 400 meteoritë marsianë janë gjetur ndonjëherë në Tokë, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“NWA 16788 është një zbulim me rëndësi të jashtëzakonshme – meteori më i madh marsian i gjetur ndonjëherë në Tokë dhe më i vlefshmi i llojit të tij i ofruar ndonjëherë në ankand”, tha Cassandra Hatton, nënkryetare e shkencës dhe historisë natyrore në Sotheby’s.
Ai do të dalë në ankand në Sotheby’s New York më 16 korrik.
Për disa, fakti që meteori po shitet në vend që t’i dhurohet shkencës është shkak për shqetësim.
“Do të ishte për të ardhur keq nëse do të zhdukej në kasafortën e një oligarku. I përket një muzeu, ku mund të studiohet dhe ku mund të shijohet nga fëmijët, familjet dhe publiku i gjerë”, tha Steve Brusatte, profesor i paleontologjisë dhe evolucionit në Universitetin e Edinburgut në Skoci.