Një dëshmi autentike për luftën çlirimtare të UÇK-së

16 shtator 2025 | 14:37

Shkruan: Arsim Bajrami

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, Jamie Rubin ka hedhur dritë mbi mangësitë dhe tendencat e aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me të ashtuquajturën “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Rubin, me ton të qartë dhe autentik, ka mbrojtur karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së, duke e kundërshtuar prerazi narrativën e barazimit të gjenocidit të kryer nga Serbia me ndonjë krim të izoluar dhe spontan që mund të ketë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka përsëritur se mbi 95% e krimeve gjenocidale dhe të pastrimit etnik në Kosovë u kryen nga ushtria serbe dhe aparati represiv i shtetit të Serbisë. Ky theksim përforcon argumentin se përpjekja për ta relativizuar përgjegjësinë e Serbisë, duke vënë në të njëjtën peshore viktimën dhe agresorin, është një qasje e papranueshme dhe e padrejtë.
Në mënyrë të veçantë, Rubin ka pasqyruar rolin historik të Hashim Thaçit si lider politik i UÇK-së, duke nënvizuar rëndësinë e tij në ndërtimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe shtetet perëndimore. Ky dimension historik e paraqet Thaçin jo vetëm si udhëheqës politik të luftës çlirimtare, por edhe si arkitekt të orientimit euroatlantik të Kosovës.
Duke kujtuar edhe rolin e tij personal si këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Rubin e ka shndërruar dëshminë e tij në një nga mbrojtjet më të fuqishme politike dhe juridike kundër aktakuzës së ngritur. Sipas këtij rrëfimi, procesi aktual nuk duhet të shndërrohet në një gjykim politik ndaj UÇK-së dhe lidershipit të saj, por në një përpjekje për të vendosur drejtësinë mbi bazën e fakteve historike dhe juridike.
Kjo dëshmi, për nga pesha e saj, pritet të shërbejë si një pikë referimi për trupin gjykues në rishqyrtimin e themeleve të aktakuzës dhe, mbi të gjitha, si një mbështetje e fuqishme për pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Efi Dhedhes ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram…