Një humbje e pakthyeshme e madhështisë së vërtetë!
Me nderime të mëdha, në prani të bashkëqytetarëve, kolegëve dhe studentëve, dje në varrezat e Llojanit në Kumanovë, iu dha lamtumira e fundit ish-rektorit dhe profesorit të Universitetit të Tetovës, Profesor Emeritus Ramiz Abdyli.
Ai ishte kontribuuesi më i madh në ndriçimin e vazhdimësisë së historisë ilire-arbërore-shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe, më gjerësisht, aty ku jetojnë shqiptarët sot, ka vlerësuar Jahja Drancolli.
“Në Kosovë, përveç dhjetëra e dhjetëra librave dhe studimeve, ai u bë i njohur si këshilltar shkencor i Institutit të Historisë ‘Ali Hadri’ dhe kryeredaktor i revistës historiko-politike ‘Kosova’, vëllimet I-IX (në anglisht dhe shqip: 1994-2001), botuar nga Instituti i Historisë i Prishtinës dhe Instituti i Historisë i Tiranës. U prehsh në paqe të përjetshme në tokat e lira shqiptare, koleg i dashur dhe i çmuar Ramiz!”, ka theksuar Drancolli.
Prof. dr. Ramiz Abdyli ka ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 82-vjeçare. Ai ishte historian i shquar dhe një nga emrat më të respektuar të botës akademike e shkencore në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë.
Prof.dr. Ramiz Abdyli shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale dhe studimet universitare në Shkup, në degën e Historisë dhe Artit të Përgjithshëm.
Angazhimi i tij në arsim nisi që në vitin 1963, kur punoi si mësues në shkollën e Llojanit dhe në shkollën e Bukovikut të Shkupit. Në vitin 1970 filloi punën si mësimdhënës në gjimnazin e Kumanovës, ku përveç gjuhës shqipe, të gjitha lëndët e tjera zhvilloheshin në gjuhën maqedone. Kjo situatë u bë shtysë për angazhimin e tij në zgjerimin e hapësirës mësimore për shqiptarët, duke kontribuar në hapjen e disa paraleleve në gjuhën shqipe në shkollat e mesme të Kumanovës.
Përveç veprimtarisë arsimore, prof.dr. Ramiz Abdyli dha kontribut edhe në gazetari dhe publicistikë, duke u angazhuar në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” gjatë viteve 1975-1976.
Në vitin 1978, një vit pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në shkencat e historisë dhe katër vite para mbrojtjes së doktoratës (1982), ai u përzgjodh punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës, ku punoi deri në vitin 1994. Në këtë vit u transferua në Institutin e Historisë Nacionale në Shkup.
Pas dështimit të projektit për Universitetin shqiptar në Shkup, një aspiratë e kahershme e tij, prof.dr. Ramiz Abdyli iu bashkua projektit të Fadil Sulejmanit për hapjen e Universitetit të Tetovës në vitin 1994. Ai u përfshi drejtpërdrejt si në procesin mësimor, ashtu edhe në atë drejtues të këtij universiteti, fillimisht si prodekan i Fakultetit Filozofik, ndërsa në vitin 2003 u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës.
Më pas, ai u angazhua si drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup gjatë viteve 2008-2009.
Prof. Ramiz Abdyli ishte kryeredaktor i revistës historiko-politike “Kosova” në gjuhën shqipe dhe angleze, botim i Institutit të Historisë në Prishtinë dhe Institutit të Historisë në Tiranë (1993-2000). Në vitin 1998 u përzgjodh në mesin e 5000 personaliteteve të shquara të kohës nga Instituti Biografik Amerikan i Karolinës Veriore.
Ai është autor i afro 30 veprave shkencore, veçanërisht në fushën e historiografisë shqiptare, si dhe pjesëmarrës me kumtesa dhe referate në dhjetëra simpoziume e sesione shkencore. Është autor i disa zërave të Fjalorit Enciklopedik të Shqipërisë dhe Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Ka publikuar artikuj të shumtë nga fusha e Historisë së Kohës së Re në shtypin e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, si dhe shkrime nga metodika e historisë.
Veprat dhe hulumtimet e tij shkencore-historiografike vazhdojnë të mbeten referenca dhe burime të rëndësishme në studimet mbi historinë e shqiptarëve gjatë shekujve XIX–XX.
Karriera e tij shkencore, e nisur në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, u shoqërua me ide dhe projekte sfiduese për kohën.



