Një i burgosur gjendet i vdekur në burgun e Dubravës, dyshohet se bëri vetëvrasje
Një i burgosur është gjetur i vdekur të enjten në Qendrën Korrektuese të Dubravës, kanë bërë me dije autoritetet përgjegjëse.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, rasti ka ndodhur në Pavijonin D, ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në Pavijonin D, ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta, zyrtarët korrektues kanë hasur në një rast të vetëvarjes së të burgosurit me inicialet K.N.”, ka njoftuar ShKK-ja.
Sipas autoriteteve, menjëherë pas evidentimit të rastit, zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor kanë reaguar me urgjencë, duke i ofruar ndihmën e parë, ndërsa i burgosuri është transportuar për trajtim në Spitalin Rajonal në Pejë.
“Pavarësisht përpjekjeve të stafit korrektues dhe personelit mjekësor, i burgosuri ka ndërruar jetë”, ka njoftuar ShKK-ja.



