Një javë grevë në minierën e Trepçës – 10 minatorë mbrëmë u dërguan në spital

30 tetor 2023 | 09:35

Minatorët në Trepçë janë duke vazhduar grevën, ku sot është dita e shtatë që ata kanë nisur grevën me kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve të punës.

Për gjatë kësaj jave, shumë minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi ka deklaruar për Telegrafin se vetëm mbrëmë 10 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Gjendja shëndetësore është e rëndë. Sipas informatave që i kam marrë mbrëmë prej ores 19:00, dhjetë grevistë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, tha ai.

Sa i përket akuzave të Ndërmarrjes “Trepça”, e cila ditën e diel publikoi disa fotografi të minatorëve, Jonuzi tha se me kërcënime dhe shantazhe nuk arrihet zgjidhja.

“Ne si Sindikatë e kemi kundërshtuar atë, është veprim i ulët, kërcënues, i cili nuk i kontribuon zgjidhjes, kjo e shtyn zgjidhjen. Shantazhe dhe kërcënimi nuk dërgojnë të zgjidhja”, potencoi Jonuzi.

Minatorët e Trepçës kanë nisur grevën me kërkesa për përmirësimin e kushteve të punës.

“Kërkesat tona të parashtruara në mënyrë publike tanimë e disa muaj janë të qarta dhe konkrete. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, pagesa e pagave në aktuale me kohë dhe shkarkimi i një menaxhmenti i cili çdo ditë e më shumë është duke e shkatërruar minierën e Trepçës. Këto kanë qenë dhe mbeten kërkesat tona dhe se minatorët nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre”, thuhet në reagim.

Për grevën në minierën e Trepçës ka reaguar edhe Ministria e Ekonomisë.

Ministria ka lutur grevistët t’i kthehen punës, duke njoftuar se çdo ditë mos-pune shkakton mijëra euro humbje.

“Lusim minatorët dhe punonjësit tjerë të Trepçës për bashkëpunim, dhe që ata t’i kthehen punës sa më parë sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë sukses dhe të përmbushim qëllimet tona të përbashkëta për një Trepçë më të fortë, për punonjësit e saj, për vete e për shtetin tonë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti, Mark Frroku dhe 7 persona të tjerë janë arrestuar nga…