
Një javë pas samitit në Alaskë: Gjërat që duhet t’i dini për përpjekjet për paqe në Ukrainë
Një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ia shtroi qilimin e kuq homologut të tij rus, Vladimir Putin, nuk ka ndryshuar shumë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Takimi Trump-Putin në Alaskë u pasua nga bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësit evropianë që përfundoi me një thirrje për një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt.
Me Rusinë që po zvarrit mbajtjen e një takimi të tillë, ajo që ka dalë në sipërfaqe nuk i ngjan një rruge të qartë drejt paqes, por është një portret i negociatave që përcaktohen nga fshehtësia, mosbesimi dhe rreziku i ngërçit.
Disa përparime mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën
Uashingtoni dhe shtetet evropiane janë afruar drejt përcaktimit se si mund të duken garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës.
Planifikues ushtarakë amerikanë dhe evropianë kanë nisur takimet për të shqyrtuar se çfarë mund të përfshijë paketa e përgjithshme e sigurisë, para se udhëheqësit politikë të marrin një vendim përfundimtar për të.
Kjo përfshin furnizime afatgjata me armë, shkëmbim të informacioneve të inteligjencës dhe planifikim të përbashkët të mbrojtjes. Trump ka lënë të kuptohet se fuqia ajrore amerikane mund të përfshihet në paketën e sigurisë.
Londra, Parisi dhe Berlini kanë përsëritur qëndrimin e tyre të kamotshëm se garancitë e sigurisë duhet të jenë të prekshme ose Moska do ta trajtojë çdo armëpushim si një pauzë të përkohshme para ofensivës së radhës.
Rusia vazhdimisht ka përsëritur kundërshtimin e saj për praninë e forcave të NATO-s në Ukrainë.
Qëndrimi i Rusisë nuk ka ndryshuar
Teksa raportimet e mediave kanë thënë se Putini ka shtyrë përpara idenë e ngrirjes së vijave të frontit në disa zona, objektivat e tij të mëdha mbeten të pandryshuar: kontrolli i plotë mbi rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, njohja e aneksimit të Krimesë dhe zotime ligjërisht të detyrueshme që Ukraina të mos i bashkohet NATO-s.
Përveç këtyre, ka edhe kufizime të mëdha për forcat e armatosura të Ukrainës.
Këto nuk duken si koncesione, por kërkesa për të institucionalizuar humbjet territoriale të Kievit dhe për të vulosur cenueshmërinë e Ukrainës.
Refuzimi i Kremlinit, deri më tani, për t’u pajtuar për një takim mes Putinit dhe Zelenskyt vë në pah se si Rusia thjesht ngul këmbë në vijat e kuqe ekzistuese.
Ndërkaq, për Kievin, dhënia e tokës ndaj Rusisë do të ishte jo vetëm jokushtetuese, por politikisht dhe ushtarakisht dëmtuese.
Hezitimi i Uashingtonit për t’u angazhuar
Pas dy samiteve, Trump duket se po tërhiqet.
Presidenti amerikan veçse kishte deklaruar në Uashington se jo domosdo ai duhet të jetë i pranishëm në një samit Putin-Zelenesky, dhe që atëherë ka sugjeruar se mund të marrë pjesë vetëm pasi udhëheqësit rusë dhe ukrainas të jenë takuar.
Trump ka theksuar se trupat amerikane nuk do të dislokohen në Ukrainë, vendim që kurrë nuk ka qenë në pikëpyetje.
Se cila realisht mund të jetë “përfshirja” e ShBA-së në garancitë e sigurisë dhe çfarë roli mund të luajë forca e saj ajrore, po ashtu mbeten të paqarta – të paktën për publikun.
Qëndrimi i Trumpit reflekton si kujdes strategjik – shmangie të një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë me Rusinë – ashtu edhe llogaritje politike. Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë painteresuar që të mbështesë arkitekturën e sigurisë të Evropës.
Për Kievin, kjo reflekton një të vërtetë të dhimbshme: Evropa është angazhuar për mbrojtje, por ShBA-ja mund të mos e mbështesë mjaftueshëm.
Ndarjet transatlantike
Samiti i Uashingtonit ishte shfaqje e unitetit transatlantik, por ndarjet dhe mosbesimi mbesin.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, qëndroi i heshtur kur Zelensky dhe Trump u takuan para kamerave në Zyrën Ovale. Por, gjatë një interviste dhënë më vonë për Fox News, ai tha se e kishe paralajmëruar Zelenskyn: “Zoti president, për aq kohë sa silleni mirë, unë nuk do të them asgjë”.
Kjo intervistë rikujtoi përplasjen me Zelenskyn gjatë qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, duke sugjeruar se antagonizmat e së kaluarës nuk janë harruar plotësisht.
Ndërkaq, CBS raportoi më 21 gusht se drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, në korrik lëshoi një udhëzim që klasifikonte të gjitha informacionet lidhur me negociatat e paqes si “NOFORN” – vetëm për përdorimin nga ShBA-ja dhe këto informacione madje ndalohet që të ndahen me grupin Five Eyes.
Grupi Five Eyes bashkon SHBA-në me Britaninë, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re sa i përket këmbimit të inteligjencës. Përjashtimi i tyre nga një çështje kaq të ndjeshme do të lërë planifikuesit evropianë pa informacionin amerikan në momentin kur po u kërkohet të marrin udhëheqjen për garancitë e sigurisë.
Sulmet ruse kanë vazhduar
Ndërkaq, sulmet e Rusisë kanë vazhduar pa u ndalur.
Më 21 gusht, Zelensky dënoi Rusinë për lëshoi qindra dronëve dhe dhjetëra raketave në një sulm masiv të kryer gjatë natës, duke e quajtur sjelljen e Moskës dëshmi se ajo nuk ka interes të përfundojë konfliktin.
“Ata po përpiqen t’i shmangen mbajtjes së një takimi. Ata nuk duan ta përfundojnë këtë luftë”, deklaroi ai.
Ndërsa diplomatët, përfshirë edhe zyrtarët rusë, flasin për dialog, forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet ukrainase, duke vrarë dhe plagosur civilë, përfshirë fëmijët, dhe duke shkatërruar infrastrukturën thelbësore. /REL