Një jetë kushtuar atdheut – Ditari (II)

25 mars 2023 | 15:59

AJAZ EMINI

Mbresat nga dy vizitat e para në vendlindje

-Pas 5 viteve qëndrimi në SHBA, tani mu dha e drejta për aplikim që t’i nënshtrohem provimit të nënshtetësisë. Menjëherë pas skadimit të kohës pesë vjeçare, kërkova që të aplikoj për provimin e nënshtetësisë. Disa muaj më vonë mora thirrjen për caktimin e ditës së provimit. Pas caktimit të ditës së provimit iu përkushtova mësimit të testit dhe në ditën e caktuar shkova edhe e dhashë provimin e nënshtetësisë me shumë sukses! Pas kalimit të testit të nënshtetësisë amerikane, disa muaj më vonë u caktua edhe dita e ceremonisë së përbetimit të nënshtetësisë para gjykatësit federal. Dita e ceremonisë së nënshtetësisë në Amerikë zakonisht caktohet për ndonjë festë, me qëllim që ajo ditë të bëhet sa më madhështore! Ceremonia e nënshtetësisë time u caktua për 4 Korrik 1985, në ditën e Pavarësisë së Amerikës. Në këtë ceremoni ishim mbi 50 nënshtetas të rijnë, nga kontinente dhe shtete të ndryshme të botës, të gjinive, ngjyrës dhe moshave të ndryshme që po përbetoheshim para himnit dhe flamurit amerikan, edhe atë nën prezencën e gjykatësit si dhe senatorit Howard Metzenbaum te Ohio’s, të cilët pas ceremonisë na uruan mirëseardhje dhe nënshtetësinë e re të shtetit amerikan! E gjithë ceremonia ishte organizuar në mënyrën më madhështore, me shumë flamuj amerikan, si dhe me një tortë të madhe që kishte të vizatuar flamurin dhe me shumë ëmbëlsira të tjera për të gjithë të pranishmit! Në këtë sallë të madhe të qytetit përveçse neve nënshtetaseve të rijnë,

kishte edhe shumë familjarë dhe pjesëtarë të tjerë të qytetit të Cleveland’it që ishin që të gjithë të veshur në mënyrën më solemne që ishte e mundur, e që kishin ardhë për këtë ditë ndoshta edhe më madhështoren e jetës tonë!

Pas himnit të shtetit amerikan dhe përbetimit nga gjykatësi, secilit prej nesh veç e veç na lexohej emri, dhe pastaj dilnim para të pranishmeve ku na jepej Certifikata e re e nënshtetësisë amerikane si dhe na urohej secilit nënshtetësia nga gjykatësi dhe senatori Metzenbaum si dhe zyrtarët e tjerë të qytetit që ishin të renditur para publikut.

Menjëherë pasi mora çertifikatën e nënshtetësisë amerikane, aplikova edhe për pasaportën amerikane të cilën mezi po prisja që ta merrja, sepse ajo ishte i vetmi dokument që do të më sigurojë udhëtim të lirë dhe të sigurtë për në të gjitha shtetet e botës! Pas aplikimit të pasaportës, disa muaj më vonë nëpërmjet të postës më erdhi edhe pasaporta e parë amerikane në emrin tim personal. Me këtë dokument të rijë të udhëtimit tani më jepej edhe e drejta e udhëtimit anë e mbanë botës, dhe pa kurrfarë telashesh, por qëllimi im kryesorë me këtë pasaportë ishte vizita ime e parë në familjen dhe vendlindjen time të dashur, që për aq shumë kohë po e ëndërroja! Menjëherë pas marrjes së pasaportës amerikane vendosa që udhëtimin tim të parë jashtë shtetit amerikan që do realizoja, do të jetë kthimi im në vendlindje. Kjo do të ishte vizita ime e parë pas 6 viteve, ku do të vizitoja më të dashurit e jetës sime: nënën, vëllain, motrën, kushërinjtë apo të afërmit e mi tjerë. Do të vizitoja shokët si dhe fshatin tim të dashur Llojanin të cilin e kisha parë në ëndërr shumë herë, si dhe që të gjithë bashkëfshatarët për të cilët aq shumë më kishte marrë malli! Në korrik të vitit 1986, për herë të parë pas të tëra këtyre viteve e mora rrugën për në vendlindje për të cilën aq shumë isha përmalluar, edhe  pse e  dija se  çka mundtë  të më ndodhte nga pushteti i egër jugosllav, të cilët veçëse më kishin kërkuar disa herë.

Udhëtimi ishte më i lehtë pasi se kisha fluturimin direkt Klivlend-Beograd-Shkup, edhe atë me aerotransportin JAT’in jugosllav. Pas të gjithë këtij udhëtimi, më në fund, të nesërmen dikur vonë në mbrëmje arrita në Llojanin tim të dashur, vendlindjen që ku me e ditë se sa herë e kisha ëndërruar gjatë këtyre gjashtë viteve.

Edhe pse i lindur dhe rritur aty, tani me ligjet jugosllave unë isha i obliguar që në të arritur brenda 24 orëshit të parë e më së voni deri në ditën e nesërme, të paraqitesha në stacionin policor të Kumanovës. Aty duhej të shkojë për t’u regjistruar për leje qëndrim në shtëpinë time, por si nënshtetas i huaj, sepse ashtu e donte ligji i tyre! Paraqitjen time e bëra sipas ligjit në sportelin e organeve të stacionit policor të Kumanovës. Kujdestari policor ma kërkoi pasaportën time amerikane për ta regjistruar në dosjet e tyre të posa ardhurin me nënshtetësi të huaj, dhe më urdhëroi që të presë për disa minuta. Pas disa minutash përsëri doli te dera edhe më tha që ta shoqëroja atë deri lartë në katin e dytë të stacionit policor, edhe atë në zyren e një inspektori policor shqiptar i quajtur Remzi Saliu. Në fillim kisha një dyshim, por përsëri mendova ndoshta është më mirë dhe më lehtë për mua që të kuptohem me një shqiptarë të stacionit policor.

Në të hyrë në zyren e inspektorit policor shqiptar, menjëherë pashë në fytyrën e tij një lloj arrogance që më bëri të dyshoja se punët nuk do të shkojnë siç i kisha menduar unë. Në takimin e parë me  të,  me  sjelljet  e  këtij inspektori  policor, pra  të Remzi Saliut nuk isha aspak i kënaqur sepse ishte një person shumë arrogant dhe menjëherë që nga fillimi filloi që të më iritojë tejmase. Meqenëse tani kisha nënshtetësinë amerikane disi nuk më frikësonte sjellja e këtij kodoshi shqipfolës, po urrejtja ndaj këtyre lloj njerëzish më ishte e madhe sepse më herët më kishin dënuar shokun-djalin e dajës me burg pa kurrëfarë faji. Nuk kisha kurrëfarë respekti për këto lloj zyrtarësh shtetërorë jugosllav. Nga ana tjetër po vija nga një shtet ku liria e fjalës respektohet tejmase, tani një kohë atje  kisha  shijuar  dhe  përjetuar  lirinë  e  vërtetë  të demokracisë  njerëzore  në  shtetin  më  demokrat  të botës,  pra  në  Amerikë!  Pas  një  orë  interviste  dhe qëndrimi   nën   kërcënimet   e   këtij   lloj   inspektori shqipfolës, më thotë tani je i lire, por me kusht që të shkoj në shtëpi e të mendohem mirë, që ta rifreskoj trurin dhe të nesërmen që të kthehem po në të njejtin vend, në të njejtën zyrë dhe po në të njejtën kohë. Kërkoi pra fiks në orën 9:00 të mëngjesit, pasi se nuk kishte qenë i kënaqur nga përgjigjet e mia që ia dhash!

Pyetjet e tij ishin më tepër kërcënuese, dhe në anën tjetër po mundohej që të më angazhojë edhe mua në punën e tyre të fëlliqur, që edhe unë të filloj që të spiunoj për bashkëkombasit e mi, për shokët e mi këtu në Amerikë. I tillë të bëhem unë?! Asnjëherë! Gjatë tërë jetës sime i kisha urrejtë këto lloje njerëzish! Përgjigjjet e mia në pyetjet e inspektor Remziut ishin shkurt e shqip, me një rresht të tërë dhe të qartë “Për këta njerëz që po interesohesh ti nuk i njoh, dhe sa për të tjerë shqiptarë përveçëse punëve të tyre personale edhe mbajtjes së familjeve të tyre ata nuk çajnë kokën për asgjë tjetër, e lere më politikën tuaj jugosllave”! Në fillim u mora në pyetje për rreth shoqërisë time që kisha në Amerikë, për aktivitetet e mia, si dhe me çka po mirresha, për shoqatat shqiptare në Amerikë si dhe për shkrimet anti-jugosllave në shtypin e ndryshëm shqiptarë dhe atë amerikan.

Mirëpo me kalimin e kohës, më vonë e pashë qëllimin kryesor të inspektorit shqipfolës policor, qëllimi i tij ishte që edhe unë të bëhesha njëfarë lloj bashkëpunëtori për spiunimin ndaj shoqërisë sime si edhe ndaj shqiptarëve të tjerë në përgjithësi këtu në SHBA, pasi se shteti jugosllav ua kishte frikën më të madhe këtij emigracioni shqiptarë edhe kroatë në shtetin amerikan.

Gjatë viteve 1970-1990 kishim një lëvizje të madhe anti-jugosllave në Amerikë, si dhe një numër i madh akcionesh anti-jugosllave nga grupet e ndry- shme ustashët – kroatëve, por edhe të shqiptarëve të cilët shumë herë iu kishin bashkangjitë edhe këtyre grupeve kroate. Me kalimin e kohës, më vonë edhe shqiptarët nga pakënaqësitë që kishin ndaj sundimit sllav filluan të ngrisin zërin e tyre dhe t’i shpeshtojnë protestat e  tyre  anti-jugosllave.  Meqenëse po kthehesha nga një qendër e madhe ku ishin të përqendruara shumica e këtyre grupeve anti- jugosllave, në qytetin e Cleveland’it menduan se do të më shfrytëzojnë mua në spiunimin edhe ndaj këtyre njerëzve dhe grupeve të ndryshme që kishin për qëllim shkatërrimin e këtij shteti të brishtë jugosllav. Pas një ore, përseri ky farë inspektori disi edhe më tepër e më i nevrikosur se në ditën e më parme, më urdhëroi që përsëri të kthehesha në shtëpi te familja dhe të kujtohem edhe më tepër që kur të kthehem të nesërmen në takimin vijues, me të të jem i gatshëm për t’iu përgjigjur që të gjitha pyetjeve që atij po i interesonin.

Tani për mua kjo endje poshtë e lartë u bë e zakonshme, dhe të nesërmen përseri u ktheva në të njejtin stacion policor, në kohën që më kishte caktuar inspektori shqipfolës Remziu. Mirëpo menjëherë posa hyra mbrenda zyrës së tijë, po dukej se ky takim nuk do të zgjasë shumë, pasi se kur u pyeta se a kisha mendu për pyetjet e dhëna nga dita e më parme, unë iu përgjigjeja menjëherë se. “E ke të njejtën përgjigje sikurse ta dhash që nga dita e parë, poashtu edhe gjatë ditës së djeshme”! Inspektor Remziu siç shihej nga fytyra e tij, ai nuk mundi të përmbahet më nga mllefi që kishte ndaj meje, për menjëherë disi atij i hypi gjaku fytyrës dhe me nervozë të madhe më tha: “ Ik, shko mendo mirë, edhe eja përsëri nesër në të njejtën kohë, por me kusht nëse nuk na tregon neve për këto që po të pyes, ne do të ndërmarrim masa që nuk kanë për t’ju pëlqyer aspak juve! Tani vetëmse po shihej se po përgatitej diçka befasuese për mua. Nuk po mërzitesha aq shumë, sepse unë për vete ia kisha arritë qëllimeve të mia, sepse i kisha takuar dhe parë më të dashurit e mi. Tani çkado që të ndodhë isha i përgaditur të ballafaqohem.

Para largimit nga zyra e tij përsëri i thash: “Unë po shkoj, por edhe nesër kur të kthehem i ke po të njejtat fjalë dhe të njejtën përgjigje, pasi ato janë fjalët e mia të së vërtetës! ”Meqenëse zyra e Remzi inspektorit ishte në katin e dytë të stacionit policor, u lëshova shkallëve teposhtë edhe dola nga godina për të cilën tani isha vizitor i  përditshëm. Por, jo nga dashuria ime për to. Në të dalur jashta dyerve të hyrjes, takova një bashkëvendas timin me të cilin shkëmbyem një bisedë të shkurtër. Nga bashkë- vendasi im kuptova se këtij të shkretit po i njejti inspektor policie ia kishte humbë edhe vendin e punës

së përkohëshme të tij që e kishte në Gjermani. Me këso lloj të njejta kushtëzimesh dhe shantazhesh, që të bashkëpunojë dhe spiunojë për shokët e tijë, bashkëkombasit, ose nuk do t’i lirohej pasaporta e uzurpuar nga ky farë inspektori, e pa të cilën dokument nuk kishte mundësi udhëtimi për në vendin e punës së tij jashtë kufinjve jugosllav. Sikurse në dy ditët e më parme edhe në ditën e tretë inspektori policor e filloi me të njejtin refren. Po edhe me të njejtat pyetje, për të cilat nuk mori përgjigjen që aq shumë ai po e dëshironte. Në fillim të takimit të sotëm u tregua më i butë, por menjëherë pas ndëgjimit të fjalëve të para të mia, ai ndryshoi për 180 shkallë qëndrimin e tij ndaj meje! Në fillim kërkoi përgjigjen disi edhe më i zemëruar dhe me ton edhe më të lartë, dhe pastaj mu kërcënua me fjalët: “Tani mundë t’ju rrahim por edhe t’ju burgosim! ”Dhe derisa po fliste me ton të lartë kërcënues inspektori, ai u përkul prapa tavolinës edhe u pa se po mundohej të merr diçka! Pasi u ngrit me trupin e tij të kërrusur, prej poshtë me të dy duartë e tij e nxorri një kuti të madhe kartoni dhe e vuri para meje mbi tavolinë. Një kuti e cila ishte e stërmbushur me libra, gazeta, letra, fotografi dhe disa disqe, por njëri që shihej mbi të gjitha ishte i veçuar, e ai ishte një disk gramfoni i atdhetarit të madh Jusuf Gërvallës. Po, një këngëtari dhe poeti brilant, që me kitaren e tij kishte bërë këto hite që i ndëgjonim gjatë studimeve të cilin disk ma kishin marrë gjatë bastisjes së shtëpisë time në Llojan kur kishin ardhë që të më arrestonin! Kishte ndodhur një ditë pas largimit tim për në shtetin e Austrisë. Siç kuptova më vonë nga të afërmit e mi, pas bastisjes së shtëpisë ma kishin arrestuar edhe vëllain Murtezanin, të cilin e lirojnë pas  disa  ditësh  pas  intervenimit  të  miqëve  dhe familjarëve të mi. Pasi pashë kutinë me sendet e mia, disi edhe mua më kapi inati për atë që kishin bërë dhe nuk munda të durohem më. Më tepër e kisha nga mllefi ndaj këtij shqipofolësi kur pashë se një pjesë e jetës time paska qenë e burgosur për të tëra këto vite duke më konfiskuar edhe gjërat më personale nga këta njerëz shpirtëligë, si inspektori famëkeq Remziu i cili po fryhet këtu si një person me reputacion. Për njëherë ia ktheva: “Po, ju mundë ta bëni edhe burgosjen time, po edhe të më keqtrajtoni, por ma merr mendja se brenda 24 orëve do të jeni të detyruar për të më liruar. Ju nuk jeni ata që mundë të vendosni për fatin tim siç po e bëni për shumicën dërmuese të shqiptarëve, unë jam nënshtetas i një shteti tjetër që do të kujdeset edhe për mua!” Ky xhelat i shqiptarëve nuk ishte mësuar që dikush nga viktimat e tijë t’ia kthejë fjalën! Në mënyrë cinike mu kthye dhe më tha: “Ooo, po ti qenke edhe kokëfortë, po edhe po dijshe bukur shumë”!

Nga kutia që ndodhej në mes nesh mbi tavolinë, inspektor Remziu nxorri disa letra që i kisha të shkruara nga shoqja e tani bashkëshortja e jetës time Shahadija gjatë kohës në shkollë të mesme dhe studime! Më vonë me letrat nxorri edhe disa karta festive që më kishin dërguar të afërmit edhe shoqëria ime për festat e ndryshme të vitit, e në veçanti ato të 28 Nëntorit të festës sonë kombëtare ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Këto karta postale ishin një lloj kolazhi fotografishë me fytyrat më eminente të lëvizjeve shqiptare. Në njërën prej këtyre kartë postaleve e cila kishte personazhet më kryesore të historisë kombëtare të shqiptarisë, në atë kartë postale figuronin foto nga shtatorja e Skenderbeut në Krujë, portreti i diplomatit dhe atdhetarit Hasan Prishtina, si dhe trimi i maleve Isa Boletini, që më ishte dërguar nga djali i dajës dhe shoku i studimeve patrioti Muharrem Shaljani. Ai po e fillonte me shkrimin që në rreshtin e parë me fjalët: “Shqiptarit të Llojanit!”, të cilët fjalë m’i lexoi me zë të lartë vetë inspektor Remziu dhe tundi kokën si me e pasë kapë rrufeja, dhe m’u kthye dhe më i mllefosur duke më pyetur mua: “ Çka ka deshtë me thënë Muharremi me këto fjalë, shqiptarit të Llojanit?”

Nuk munda ta durojë më dhe menjëherë ia ktheva përgjigjen, “Po, ti a nuk po e kupton se ç’ka ka deshtë me thënë? Unë po iu shpjegojë se unë jamë shqiptarë, babën, nënën, gjyshin edhe katragjyshin i kam pasë shqiptarë dhe kuptohet vetvetiu se edhe unë jamë si ata shqiptar. Mendoj se Muharrem Shaljani asgjë nuk ka shtuar apo gabuar! ” Në bazë të bisedës që kishim zhvilluar gjatë ditëve të kaluara, inspektor Remziu që nga fillimi gjithëqysh fuste bisedën në ndërlidhjet tona me Muharremin. Sipas mendimit tim ai po mundohej të rihapte ndonjë lëndë të re, që të ripadisë apo edhe që ta burgosë Muharremin i cili veçse e kishte kryer mbajten e denimit 5 vjeçar me akuzën pa lidhje si armik i përbetuar kundër  popullit  dhe shtetit jugosllav! Muharremi asnjëherë nuk kishte rreziku askend, e as shtetin jugosllav sepse ata nuk kishin ndërmarrë kurrfarë aksioni që të përmbysin regjimin… Si duket nga përgjigjeja që i dhashë Remziut, ky ishte edhe kulminacioni i arritur për këtë inspektor fatkeq i cili u ngrit në këmbë edhe me ton të lartë ma priti: ” Ne këtu jemi edhe më shqiptar se sa që jeni ju, edhe disa njerëz të tjerë që flasin si ju! ’’ Pastaj u përkul pakë edhe nxorri nga fjoka e mbrendisë së tavolinës së tij edhe pasaportën time amerikane të cilën ma kishte marrë para tre ditësh polici kujdestar në hyrje të stacionit policor për të më bërë regjistrimin e paraqitjes time në policinë lokale të Kumanovës. Remziu nxorri pasaportën time edhe ma përplasi përpara meje duke më thënë me një gjest idiotesk: “Ja merre!” Pas këtij gjesti të tijë edhe unë u nxeha në kokë edhe ia ktheva: “Faleminderit, e dija se do të ma jepni pasaportën para se të largohem prej këndej, kjo nuk është pasaporta e juaj dhe ju nuk mundë që ta mbani! ”Menjëherë pa pritë aspak edhe ai ma priti edhe atë me shumë mllef duke më thënë: “ Çe mere pasaportën, edhe shporru menjëherë prej këndej, edhe nga ky moment ti je i shpallur nga ne: PERSONA NON GRATE / PERSON I PA DËSHIRUAR, dhe tani ti ke kohë vetëmse 24 orë për ta lëshuar vendin dhe të gjendesh jashtë kufirit jugosllav. Poqëse kapesh pas kësajë kohe mbrenda kufinjve jugosllav, ti ke për t’u arrestuar dhe burgosur!”

Pas këtij lajmi që më dha inspektori shqipfolës Remzi Saliu, përsëri ia ktheva edhe unë: “Tani edhe pse po më dëbon nga familja dhe vendelindja, unë për veten ia arrita qëllimit tim. Unë që të gjithë njerëzit e mi që i deshta dhe i dua i pashë dhe u çmallëm me to, tani edhe pse po më dëbon, përsëri jam i kënaqur! ” Para largimit nga zyra e tij, inspektor Remziu ma mori diskun që ishte mbi të gjitha sendet e mia të konfiskuara prej tyre, atë të Jusuf Gërvallës duke ma bërë me dije se ky disk nuk lejohet të mbahet dhe duhet konfiskuar. Më tregoi se më kishin konfisku edhe maqinën e shkrimit, të cilën axha im ma kishte sjellë prejAustrisë gjatë kohës time në studime për të cilën më tha se kinse e paska marrë një inspektor tjetër shqiptar i quajtur Bexhet Bexheti me detyrë në Shkup. Gjoja  axha  im  Emini  ia  paska  pasë  falur  atij  pas bastisjes dhe arrestimit të vëllait tim Murtezanit! Me këtë gjest më bëri me dije se sa të ulët që janë këta të punëve të brendshme të UDB’s, hajna e ordinerë, që para syve të vjedhin, por kinse me arsye! Pasi mora pasaportën, e kapa edhe kutinë me libra dhe letrat e mia që ishin aty edhe me të shpejtë dola jashtë zyrës së tij, por pa u përshëndetur. Disi i mërzitur më tepër për nënën dhe motrën pas këtij lajmi jo të mirë, u leshova shkallëve te poshtë edhe shkova drejtë në godinën tjetër që ishte në krahun tjetër të postës së Kumanovës e cila ishte jo shumë largë nga kjo derë e kobshme e policisë gjakatare ndaj shqiptarëve. Posta ndoshta ishte rreth 50 metra nga dyert e stacionit policor në të njejtën anë të rrugës kryesore që përshkon përmes qytetit të Kumanovës në drejtim të Shkupit. Hyra brenda dhe u ngjita shkallëve përpjetë dhe shkova në katin e dytë, ku dhe kërkova njërën nga kabinat e lira të telefonit që menjëherë ta njoftoj Ambasadën Amerikane në Beograd për të gjitha ndodhitë e mia me policinë e Kumanovës. Më tepër dëshiroja edhe që t’i pyes se si duhet vepruar pasi se kisha nënshtetësinë amerikane, dhe këta të policisë së Kumanovës më kishin shpallur me status “Persona Non Grate / Person i Pa Dëshiruar” pra policia e Maqedonisë?

Në anën tjetër të telefonit m’u paraqit dikush nga stafi i Ambasadës Amerikane në Beograd dhe pyetja e parë e tij ishte se policia e Maqedonisë a ma kishte kthyer pasaportën time amerikane, e cila më ishte konfisku nga fillimi që në ditën e parë të takimit tonë në hyrje të stacionit policor të Kumanovës. Më pyeti a isha maltretuar fizikisht po edhe psikikisht nga forcat e sigurimit maqedon? I tregova të vërtetën për të gjitha rrjedhat deri te vendimi për dëbimin tim nga shteti jugosllav. Stafi i Ambasadës Amerikane në Beograd me të cilin kontaktova më këshilloi që të largohem sa më shpejtë nga shteti jugosllav, domethënë brenda afatit 24 orësh, me qëllim që mos të kisha ndonjë telashe tjetër me arrestime apo maltretime të tjera. Gjatë bisedës më treguan si shembull edhe për një rast të ngjajshëm e që i kishte ndodhë edhe disa Shqiptaro-Amerikanëve të Malit të Zi, të cilët gjatë vizitës së tyre në familjet e tyre ishin arrestu, e pastaj sesi ishte deshtë që edhe Ambasada Amerikane në Beograd të intervenojë për lirimin e tyre.

Këshilla tjetër nga stafi i Ambasadës Amerikane ishte: sa të arrijë në Amerikë, t’i shkruajë në letër pikë e për pe për ndodhinë time në policinë e Kumanovës, edhe atë letër duhet drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, e në veçanti Seksionit për Punë të Jashtme, si dhe Senatit Amerikan, e që pastaj ata të bëjnë protestën e tyre zyrtare kundër regjimit jugosllav ndaj nënshtetasve amerikan, si dhe për maltretimin e qytetarëve tanë. Me të dalë nga posta e mora një taksi dhe menjëherë u ktheva për në Llojan në shtëpinë tek familja, të cilët po më prisnin me pa durim për të ndëgjuar se ç’po ndodhte me statusin tim. Ishin shumë kurreshtarë të dijnë se pse po maltretohesha, kur ende nuk ishim parë aq shumë kohë që të çmalleshim në mes vete, sepse ende nuk kisha bërë asnjë javë që kur kisha arritur aty. Pas arritjes sime në shtëpi, që të gjithë u habitën kur më panë me atë kutinë përplot me letra dhe libra, librat të cilat familjes sime ua kthyen memorien nga koha kur ishte bastisë e tërë shtëpia dhe kishin konfiskuar të tërë ato gjëra, si dhe arrestimi i vëllait. Pasi pushova pakë, pas një kohe të shkurtër iu tregova storien se çka më kishte ndodhur në stacionin policor duke i thënë më tepër si në hajgare: “Tani nënë e dashur, ne e bëmë tonën dhe të lutem mos, të lutem që mos të mërziteni aspak se tani ne u pamë dhe u çmallëm sado pakë, edhe unë iu premtojë se përsëri do të vijë, pasi se për momentin policia e Maqedonisë më kanë shpallur si person jo të mirë për to, edhe më kanë dhënë një afat 24 orësh që të largohem nga ,, ky shtet i fëlliqur sllav”! Nënës nga këto fjalë gati se sa nuk i ra të fikët, i erdhi tepër keq që të gjithëve që ishin mbledhur aty, por kuptohet më së keqi e përjetoi nëna e cila po më priste pas kaq vitesh që nuk munda të vijë, e cila më përqafoi me të dy duart e saja të ngrohëta dhe më puthi në ballë, dhe ashtu me lot në sy nëna ma ktheu: – “ Uh, thivi e hangërt atë farë inspektori shqiptar, pse me të përzan bash ty nga shpija jote, e atij shpija iu kalltë atij shkau dhe kurrë mos paftë ditë të marë në jetën e vetë, çysh me na e ba neve ai kështu!” Ishin mallkimet e nënës së shkretë për të birin e sajë, që mezi kishte pritë të tërë këtë kohë të gjatë për t’u takuar…

Të nesërmen para dite e mora rrugën për në Prishtinë, për të shkuar që të takoj kusheririn tim, djalin e axhës Sejdiun i cili tani ishte i martuar dhe kishte gruan me dy fëmijët e tyre. Ata po jetonin në një podrum të një ndërtese që e kishin adaptuar në banesë banimi, diku në afërsi të Ulpianës në Prishtinë. U nisa për të shkuar te Sejdiu me qëllim që ta marrë atë e që të më shoqërojë dhe të shkojmë për në Greqi, jashta kufirit jugosllav, me qëllim që t’i largohem ndonjë arrestimi policor për shkak të statusit që më kishte caktuar inspektor Remzi Saliu në stacionin policor të Kumanovës.

 

Në Prishtinë u takuam me Sejdiun dhe i sqarova problemin që kisha, ku i kërkova që nëse kishte kohë edhe pse ishte i pa punë, me leje të familjes që të nisemi menjëherë për në Greqi, sepse nuk kisha aq shumë kohë që të qëndroja brenda kufinjve jugosllav, e që tani veçëse ishte dikur pas dite. Pas tregimit se ç’më kishte ndodhur edhe e shoqja e Sejdiut, Sehija u pajtua që Sejdiu të vijë me mua dhe të më shoqërojë. Në të njejtën ditë u nisëm me autobus prej Prishtinës drejt Shkupit, që pastaj në mbrëmje të niseshim me trenin ndërkombëtarë për në Janinë të Greqisë. Prej aty pastaj do të vazhdonim për në ndonjë vend bregdetar të Greqisë për të kaluar kohën, sa më kishte mbetur deri në ditën e kthimit tim për në Amerikë. Në Greqi shkuam dhe u vendosëm në një fshat të njohur turistik diku rreth detit të quajtur Asprovalta. Në këtë fshat morëm një banesë afër plazhit, mirëpo pas dy- tre ditësh filluam të mërzitemi sepse ishim të vetëm dhe gjithçka na  ishte monotone!  Gjatë bisedës me Sejdiun menduam dhe vendosëm se ndoshta do të ishte mirë që të kthehemi përsëri në Prishtinë, dhe për ta provuar që të paraqitem te miqësia e tij sepse ata njiheshin shumë mirë në Prishtinë, çka edhe ashtu vepruam. Pasi u kthyem në Prishtinë u takuam edhe me miqtë e Sejdiut, Dr. Prof. Rexhep Qosjen si dhe vëllaun e tij Isa Qosjen të cilëve i tregova rastin se ç’më kishte ndodhur me policinë maqedone edhe pse ata veçse ishin informuar më herët për ndodhitë e mia nga Sehija bashkëshortja e Sejdiut e cila ishte e mbesa e tyre. Pasi u konsultuam pak me miqtë e Sejdiut, njëri prej tyre regjisori i mirënjohur shqiptar, z. Isa Qosja më tha që të shkojë dhe të paraqitem tek një shok i tij që kishte, i cili po punonte në stacionin policor të Prishtinës,  për  t’u  regjistruar  për  leje  qëndrim  në Prishtinë. Të nesërmen pasi u zgjuam, unë me Sejdiun shkuam në stacionin policorë të Prishtinës, atje ku para shumë vitesh gjatë kohës sime të studimeve kisha kaluar një ditë të tërë në hetime! Pas arritjes në hymje të stacionit policor aty ku ishte roja policore, e kërkuam personin që e njihte dhe te i cili na drejtoi Isa Qosja. Mirëpo për fat timin ai person nuk kishte qëlluar në punë gjatë asajë dite, mirëpor roja të cilin e pyetëm ai ishte i kombësisë serbe, por fliste shumë mirë shqipen dhe i cili nga kurreshtja më pyeti në shqip se për çfarë po e kërkonim atë personin policor shqiptarë? I treguam se dikush na ka dërguar që të takojmë atë person në lidhje me regjistrimin tim, sepse jam me nënshtetësi të huaj. Polici serb u tregua shumë zemërmirë, u zgjat nga tavolina që kishte përbrenda dhe nxorri një karton regjistrimi dhe më kërkoi pasaportën time amerikane dhe më tha: “Merre dhe plotësoje këtë karton, dhe pastaj pas plotësimit ma jep që ta vulosim dhe ta bëjmë regjistrimin tani për menjëherë. Pra, nuk keni nevojë që ta presësh derisa të vijë ai kolegu që po e kërkoni ju! Pas dhënies së pasaportës dhe derisa po e regjistronte në fletoren e tij zyrtare, polici serb filloi të më pyes mua se si ishte jeta në Amerikë, sa janë pagesat e punëtorëve, si dhe për demokracinë e madhe në shtetin amerikan! Pas disa minutash e kryem regjistrimin, e faleminderova dhe u përshendetëm me policin serb sikurse të ishte dikush që po njihnim prej shumë kohe më herët.

Tani u bëra me lejeqëndrim legal të Prishtinës, po nga ana tjetër edhe i shpallur si person i pa dëshiruar po nga i njejti shtet.

Tani vendosa që ditët tjera edhe sa më kishin mbetur që t’i kaloja te kushëriri Sejdiu në banesën e tij të vogël që nuk kishte aq shumë vend. Nuk kishte vend për një person e ku më për 5 njerëz në podrumin e adaptuar me kushtet e mjerueshme për jetesë, por me plotë dashuri. Gjatë fundjavës, të shtunave vonë në mbrëmje shkonim që të vizitonim nënën dhe të afërmit tjerë në Llojanin tim të dashur, dhe të ktheheshim të nesërmen të dielave në mbrëmje, me qëllim që mos të më shohë askush përveçse anëtarëve të familjes! Gjatë qëndrimit tim në Prishtinë më erdhi befasisht në vizitë edhe e dashura ime Shahadija, me të cilën ende nuk ishim parë apo dëgjuar nga telashet me policinë e Kumanovës që më dolën. Shahadija ishte prekur pamasë me mua se pse nuk ia kisha treguar planet e mia të largimit para ikjes time në Amerikë. Të hidhëruar, por edhe më tepër të dashuruar, rifilluam lidhjen që kishim dikur, çka donë të thotë se tani për menjëherë aty na u shtua edhe një anëtar më i ri familjes së Sejdiut. Marrëveshja e re me Shahadijen ishte që unë duhet të shkojë në Kaçanik dhe të takoja vëllain e vetëm që kishte ajo Maksut Hoxhën, dhe t’i tregoj atij “Burrë me burrë” për lidhjen tonë që kishim. Pas dy ditësh shkova në Kaçanik dhe e takova Maksutin, i cili ishte një burrë me profesion inxhinier i gjeodozisë, por edhe me kulturë të gjërë i cili më mirëpriti shumë mirë dhe tha: “Nëse ju jeni marrë vesh mirë në mes veti se si të jetoni, sa për mua, unë nuk kam kurrëfarë kundërshtimi të juajin!” Tani gjërat po lëviznin shumë shpejtë dhe nuk kisha shumë kohë pasi se po afrohej dita e ikjes sime nga Jugosllavia. Vendosëm që sa më shpejtë të fillojmë me ceremoninë e fejesës, dhe pas disa ditësh të bëjmë edhe kurorëzimin. Vendosëm që gjatë vikendit në shtëpinë e familjes time në Llojan të dërgohet shenja e fejesës tonë, por pa bërë kurrfarë ceremonie. Nuk duhej bërë aq publike që mos të dëgjohet aq shumë, sepse kisha problemin e policisë! Shenjën e fejesës tonë në Llojan e sollën daja i Shahadijes Nehat Hoxha nga Prishtina me nipin e Shahadijes Prof. Dr. Fadil Raka, që e pata edhe profesor në gjimnazin “Skenderbeu” të Kaçanikut, si dhe kusheririn e sajë Inxhinierin Selim Hoxha. Tani ishin edhe ditët e fundit që më kishin mbetur para kthimit në Amerikë, edhe mu për atë në mbrëmjen para udhëtimit tim vendosën që të bëjnë kurorëzimin në komunën e Kaçanikut, për t’i ikë kontaktit me policinë e Maqedonisë. Në komunën e Kaçanikut shkuam vonë në mbrëmje me një bomboniere edhe dy dëshmitarë, ku para ofiqarit bëmë edhe lidhjen e martesës! Të nesërmen herët në mëngjes, së bashku me Shahadijen u nisëm me autobus nga Prishtina për në Beograd, për ta bërë kurorën legale edhe para stafit të Ambasadës Amerikane në Beograd që të kryhet edhe dokumentacioni më lehtë edhe më shpejtë për bashkim familjarë në Amerikë. Në Beograd arritëm herët në mëngjes, menjëherë nga stacioni i autobusave shkuam në Ambasadën Amerikane, hymë brenda dhe e kryem betimin para stafit të ambasadës dhe u kthyem menjëherë për në Prishtinë. Nga Prishtina shkuam në Llojan, u përshëndetëm me familjen, dhe të nesërmen herët në mëngjes u nisa për në Amerikë nga Aeroporti i Shkupit. Pas kthimit tim ne Amerikë, nga maltretimi policor që pata në Kumanovë, tani vazhdova edhe më tepër që të angazhohem, edhe atë në të gjitha  mënyrat dhe me  lloje të ndryshme të aktiviteteve për çfaqjen e pakënaqësive të popullit shqiptarë ndaj shtetit Jugosllav, duke shkuar deri edhe në instancat më të larta të shtetit amerikan.

Pas  një  viti  bëmë  bashkimin  familjarë  me  të fejuarën time Shahadijen, me të cilën më vonë familjes tonë i shtohen edhe dy vajzat e bukura, Liridona dhe pas një viti edhe vajza tjetër Mimoza.

Në Qershor të vitit 1992 bëmë një lëvizje nga Cleveland’i për të vazhduar jetën në Brooklyn të New York’ut. Meqenëse kisha eksperiencë të madhe në gastronomi u punësova në restorantin e mirënjohur të patriotit dhe lobuesit të madh për çështjen shqiptare të Mustafë Bytyqit, pronar i restorantit “The Grand Ticino”. Ky lokal ishte i njohur nga skenat filmike të filmit klasik shumë të njohur “Moonstruck”, që kishte personazhet kryesore që loznin: këngëtarja e mirënjohur Chersi dhe aktori i madh Nicolas Cage. Pronari shqiptar Mustafë Bytyqi dhe familja e tijë ishin aktivistët më të mëdhenjë të çështjes shqiptare, ishte vëllau i tij Sejdi Bytyqi si dhe miku i tij Elez Biberaj kryeredaktor i “Zërit të Amerikës”. Gjatë kohës sa punova te vëllezërit Bytyqi, aty njoha edhe më shumë atdhetarë dhe patriotë të mëdhenjë të kohës si: arbëreshin At Bellushi, poetin Tahir Deskun, aktivistin nga Shqipëria Ilir Demalia dhe shumë e shumë të tjerë. Gjatë kohës sa ishim në New York, iu bashkangjita shumicës së aktiviteteve që organizoheshin nga komuniteti i madhë shqiptarë që kishte New York’u.

Pas shkatërrimit të shtetit jugosllav, dy muaj pas lindjes së vajzës së parë Liridonës, në Korrik të vitit 1992 unë me Shahadijen edhe vogëlushen e posalindur Liridonën, morëm rrugën për në vendlindje, por kësajë here udhëtimi ynë do të bëhej në relacionin nga NewYork’u për në Sofje të Bullgarisë, ku pastaj dhëndëri Sabri Hasani nga fshati Çerkez i Kumanovës do të dilte që të n’a merrte me makinën e tij nga aeroporti i Sofjes që të vazhdonim udhëtimin për tek familja në vendlindje, në fshatin Llojan të Kumanovës. Në rrugën për në kufirin maqedon, afër Kriva Pallankës arritëm në ora 11:30 para mesnate. Polici kufitar që ishte aty na kërkoi të gjithëve pasaportat e udhëtimit, i cili i mori që të gjithë edhe shkoi në zyrën e tijë për t’i bërë kontrollën edhe vulosë ato. Pas disa minutash i njejti polic u kthye me pasaportat e të gjithëve në dorë përpos timit, dhe më urdhëroi që të dalë nga makina menjëherë duke më vënë prangat në duar, e të tjerëve me mua iu tha që të vazhdojnë rrugën e udhëtimit! Të shokuar të gjithë nga kjo që po më ndodhte si dhe nga pamja groteske duke më parë mua të prangosur sikurse me pasë qenë ndonjë terrorist, e sikur të kisha kryer ku me e ditë se çfarë krimi! Shahadija edhe Sabriu pyesin me habi policin se ç’po ndodhë, edhe pse po bëhet arrestimi? Polici thotë:“Jo s’ka asgjë, por Ajazi duhet të ndalet këtu në kufi dhe më vonë do të shoqërohet për në stacionin policor të Kriva Pallankës. Arsyeja është se pse këtu në kompjuterin tonë ka një pikë të kuqe edhe duhet që të arrestohet, edhe ne nuk guxojmë që ta lëshojmë të udhëtojë më tutje derisa të mirremi vesh me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë në Shkup. E kjo do të ndodhë në ditën e nesërme pas orës 10:00 të mëngjesit, pasi se të fillojë orari i rregullt i punës.Unë iu luta familjarëve të mijë që të nisen pa mua dhe të vazhdojnë rrugën sa më shpejtë për Llojan, sepse ishte tepër vonë. E kujtoja nënën e shkretë e cila sigurisht se mezi po na priste që të na shohë. Athua tani si do ta pranojë këtë lajm, se si djali i sajë që po e priste nuk do t’i arrijë në shtëpi sonte sepse ishte arrestuar dhe po mbahej në stacionin policor të Kriva Pallankës.

Mua më futën të prangosur në një dhomë të vogël të doganës, që të presë derisa të vijë policia e Kriva Pallankës për të më marrë, e për të më transferuar në stacionin policor të tyre. Pas 15 minutash erdhën policia me makinën e tyre dhe ashtu të prangosur më futën në makinën e tyre edhe më dërguan në stacionin policor të Kriva Pallankës: Aty kalova natën në një sallë të përmasave më të mëdha që kishin aty, ku ishin edhe disa oficerë tjerë policor që po pritnin në gjendje të gatshme për çfarëdo që kërkohej. Disa minuta pas arritjes time aty, njëri nga policët e moshës së re që ishin aty me ato më pyeti mua se pse isha arrestuar që më kishin sjellë këtu? Unë i tregova të vërtetën se nuk kisha kurrfarë njohurie se pse u arrestova, pasi se asnjëhrë nuk e kisha thyer ligjin si në ish Jugosllavi, e bile edhe më hiç në SHBA. Pas një bisede të shkurtër me policin i cili siç po shihej ishte mjaftë kurreshtarë për jetën amerikane, më vonë dikur pas një ore po i njejti polic iu kthye shokut të tijë edhe po i thotë: “Nuk e kuptoj pse ne po e mbajmë këtë njeri të lidhur me pranga, kur ky njeri s’ka bërë asgjë! Çka thua, a t’ia heqim prangat”? Ai e shikoi shokun e vetë dhe i tha: “Shko zgjidhe”. Polici kurreshtar edhe shpirt mirë menjëherë erdhi dhe m’i hoqi prangat nga duart! Më vonë aty nga ora 2:30 pas mesnate po i njejti polic kurreshtarë mu afrua edhe po më thotë:“Po deshte të shtrihesh, kemi një qeli të errët poshtë dhe një pallto të vjetër, aty ku mundesh për të shkuar edhe me fjetë i qetë, por nuk është vend aq i pastërt. Iu faleminderova edhe iu luta nëse nuk prishë punë që të pushoja aty ku isha, në karrigen i mbështetur në një tavolinë të madhe, sigurisht për punët e tyre.Të nesërmen pas orës 11:00 para dreke, disi fillova të ndihem si i harruar sepse askush s’po më thoshte asgjë dhe fillova të bëhem i pa durueshëm, pasi se ende nuk kishte kurrfarë lajmi se pse po mbahesha aty? Dikur njërin prej tyre e pyeta, se në çfare kohe është autobusi i fundit për në Kumanovë? Me qëllim që të paktën të kapi lidhjen e fundit prej Kriva Pallankës! Polici më tregoi se autobusi i fundit për sot për në Kumanovë ishte në orën 15:00 pas dite. Pas këtijë njoftimi të orarit të autobusit më hyri frika: po nuk morën ndonjë urdhër për lirimin tim së shpejti,?! Kisha frikën se do të mbetem edhe një natë në këtë stacion policor të Kriva Pallankës! Dikur vonë aty nga ora 14:00 po ndëgjoja zilen e telefonit, mirepor nuk po mundesha të ndëgjoja asgjë se ç’po bisedonin. Në fund të bisedës polici u kthye drejt meje dhe më tha: “Mos u mërzit aspak, se s’qenka asgjë, ajo pika e kuqe në kompjuter qenka një lloj ndalese për shkak se ti nuk paske kryer obligimin ushtarak, e tani meqenëse nuk jemi më Jugosllavi, ti duhesh që të shkosh në zyren e Departmentit Ushtarak në Kumanovë, edhe t’iu tregosh se nëse don të shkosh në shërbimin ushtarak ose edhe mundesh që ta refuzosh, askush nuk të pengon. Por, duhesh patjetër që ta nënshkruash vendimin që mos të kesh pengesa për më tutje!” Ishte e vërtetë, se unë nuk kisha kryer obligimin ushtarak për shkak se gjatë kohës së rinisë isha në studime, e zakonisht pas studimeve shkonin që të kryenin shërbimin ushtarak! Pas këtijë lajmi, me shpejtësi dola nga stacioni policor për në pikën më të afërt ku mundë të pritej autobusi i fundit për në Kumanovë. Ende pa arritur në atë pikë ndalese të autobusit, po shihej se autobusi veçëse arriti para meje, u ndal dhe me të hapur dyert me vrull hyra brenda tijë dhe u nisëm për në Kumanovë, dhe kështu mezi e zura. Ishin sekondat e fundit për të mos mbetë edhe një natë tjetër në Kriva Pallankë! U nisëm drejt Kumanovës, dhe pas rreth një ore udhëtimi arritëm atje ku ishte dashtë të isha një natë më herët. Nga Kumanova mora një taksi dhe për 20 minuta arrita në shtëpi, aty ku ishin mbledhë e gjithë familja edhe po më prisnin se kur do të arrija. Në arritje i dëftova të gjitha ndodhitë e mia dhe gjithçka në lidhje me arrestimin tim, që përngjante si në filma. Biseduam dhe u çmallëm mes vete, filluam të hajmë edhe darkën sepse kishte mëse 24 orë që nuk kisha futur ushqim në gojë. Isha i rraskapitur nga udhëtimi i gjatë dhe telashet e udhëtimit, si dhe nga ky arrestim i kotë!

Me t’u zgjuar të nesërmen në mëngjes, zbrita në qytet dhe menjëherë shkova në entin e departmentit ushtarak të Kumanovës, dhe pasi se i tregova arsyen pse  kisha  shkuar,  njëra  nga  punonjëset  në  zyrë  e nxorri një formularë dhe m’i tha po të njejtat fjalë sikurse oficeri policor. Edhe ajo më tha: Kjo është nëse dua t’i bashkangjitem shërbimit ushtarak mundem ose  edhe  mundë  ta  refuzojë  me  nënshkrimin  e formularit. E mora formularin dhe pa menduar aspak e nëshkrova refuzimin e shërbimit ushtarak dhe ika me të shpejtë nga zyra tani si njeri krejtësisht i lirë! Me prishjen e shtetit jugosllav, tani edhe Maqedonia ishte bërë shtet në vete, dhe të gjitha gjërat po edhe ligjet kishin ndryshuar. Edhe inspektor Remzi Saliu tanimë nuk kishte pozitën e inspektorit që kishte patur kur më  shpalli  person  i  pa  dëshirueshëm  për  shtetin jugosllav. Tani sa ndëgjova se tani ai më nuk kishte kurrfarë pozite, e bile edhe kishte qenë i arrestuar dhe maltretuar prej shokëve të tijë që ende ishin në detyrë.

Gjatë qëndrimit tim në vendlindje, pas një jave pata edhe takimin e parë pas disa vitesh me inspektor Remziun, shqipfolësin i cili shoqërohej me shoqërinë e dhëndërrit tim Sabri Hasanit. Takimi ishte i rastësisë.

Sabriu kishte një çajtore në qendrën e qyetit, ku kishim lënë takim me qëllim që më vonë të shkonim së bashku te motra për të kalu një natë me to. Në të arritur te çajtorja, aty gjeta si zakonishtë shoqërinë e njejtë të Sabriut. Por, kësajë here në mesin e tyre kishte qëlluar edhe inspektori  i dikurshëm Remziu. Meqenëse shumica e dinin ngjarjen time me inspektor Remziun e famshëm, disi që të gjithë u befasuan kur më panë, por më dëshiruan mirëseardhje. U përshëndetëm me shtrëngim duarsh një nga një në radhë, por, kur arrita te Remziu e kalova pa ia dhënë dorën. Gjesti im i dëshpëroi pa masë shumicën prej tyre, kurse Remziu me të shpejtë i kërkoi falje shokëve, u ngritë në këmbë dhe iku menjëherë! Pas largimit të tijë, meqenëse njiheshim me shumicën prej tyre, ata thuaj se njëzëri menjëherë filluan të më qortonin, se unë paskam bërë një gjest shumë të ulët pse nuk ia dhash dorën edhe atij i cili më kishte shpallë si“Person i Pa Dëshiruar”. Pas një kohe të shkurtë që të gjithë u ngritën në këmbë edhe u larguan jo të kënaqur nga çajtorja e Sabriut! Disa ditë më vonë përsëri pata rastin të takohemi rrugës me ish inspektor Remziun, por tani derisa më kishte parë në largësi, kaloi dhe iku në anën tjetër të rrugës. Më vonë ndëgjova se gjatë demostratave të prindërve të nxënësve për shkollimin shqip në Kumanovë, edhe Remziun e përjashtojnë nga puna sikurse shumicën tjetër shqiptare edhe atë e kishin arrestuar dhe maltretuar së bashku me të gjithë shqiptarët e tjerë. Po kjo i kishte ardhur nga ish kolegët e tijë sllavo-maqedon me të cilët ishte vëllazëruar kohëve të më hershme!…

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard…