
Një Kosovë e fortë që po vuan
Shkruan: Valon Kryeziu
Kosova, një vend i vogël, gjysmë i konsoliduar dhe me shumë fronte të hapura gjithandej që në çdo moment kërcënojnë stabilitetin dhe të ardhmen e saj.
Realisht, situata është shumë e rëndë dhe kërkon vëmendje serioze dhe veprime të menjëhershme!
Megjithatë, tani më shumë se kurrë po e shohim dhe po e kuptojmë se çfarë themeli të çeliktë ka ky vend, i hartuar dhe krijuar nga ata burra dhe ato gra që punuan me dekada të tëra e që dhanë gjithçka për këtë vend.
Sakrificat dhe përpjekjet e tyre i kanë dhënë formë Kosovës, por tani, angazhimi dhe përpjekjet e tyre fatkeqësisht po kërcënohen seriozisht nga kriza dhe sfida të njëpasnjëshme me të cilat po përballet vendi ynë.
Ne, çdo ditë po shohim se si grupe radikale, ekstremiste, kriminale dhe individë të ndryshëm angazhohen në spiunazh dhe veprimtari tjera të rrezikshme që cenojnë dhe dëmtojnë rëndë shtetin tonë.
Nëse kthehemi në retrospektivë dhe shohim rrugëtimin dhe veprimet e organizatës VV, aty mund të kuptohet se edhe ata janë formuar dhe kanë ardhur pothuajse në të njëjtën mënyrë dhe kanë funksionuar në mënyrë të ngjashme.
Ata kanë kundërshtuar ç’do gjë që ka të bëjë me shtetin, kanë sulmuar dhe dhunuar Policinë e Kosovës, kanë vandalizuar asetet shtetërore dhe hapësirat publike, kanë hezituar dhe vazhdojnë të hezitojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk i kanë respektuar dhe vazhdojnë të mos i respektojnë simbolet, kushtetutën dhe institucionet tjera shtetërore si ato të rendit, drejtësisë etj etj…
Por, përkundër kësaj, ata pas disa vitesh përpjekje arritën ta fitojnë një mbështetje të madhe popullore, ku fatkeqësisht dolën edhe fitues në dy palë zgjedhje dhe udhëhoqën vendin mbi 5 vite.
Si pasojë e kësaj, sot kemi një Kosovë në kolaps, të pazhvilluar, të izoluar dhe të ndëshkuar. Degradim total në të gjitha sferat, ku është krijuar një gjendje depresive me vrasje e vetëvrasje çdo ditë. Pra, populli ynë po vuan në të gjitha aspektet, dhe njëkohësisht po cenohet ekzistenca dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës!
Jam i bindur, se edhe shtetet e mirëkonsoliduara dhe fuqitë e mëdha botërore do e kishin vështirë t’i përballonin të gjitha këto sfida nëpër të cilat po kalon Kosova.
Pesë vite qeverisje korruptive dhe shkatërruese, ndërsa tash e më shumë se 3 muaj pa qeveri dhe institucione, ku vendi është i pambrojtur dhe populli i lënë në mëshirën e fatit.
Duke pas parasysh krejt këto, ne nuk duhet të çuditemi nëse brenda 10 apo 15 vjetësh, Kosova të udhëhiqet nga një sistem i rrezikshëm për vendin, me nuanca diktatoriale, radikale, ekstremiste apo i ngjashëm me atë Iranian – diçka që është e papranueshme, e rrezikshme dhe shumë e dëmshme për të ardhmen tonë.
Andaj, elita politike dhe të gjithë ata që e duan dhe sakrifikuan për këtë vend duhet të veprojnë shpejt, mençur dhe me vendosmëri para se të jetë tepër vonë dhe të shkatërrohet çdo gjë që u ndërtua me sakrifica të mëdha!