Një mandatar i ri nga LV-ja për qeverinë?, Haxhiu: Nesër shkojmë te presidentja, aty e japim qëndrimin
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se nesër do të jenë prezentë në takimin e ftuar për liderët partiakë nga presidentja Vjosa Osmani.
E pyetur nëse do ta pranojnë edhe njëherë mandatarin, ajo ka thënë se aty e shpalosin qëndrimin e tyre.
“Nesër ne do të jemi në takimin e thirrur nga presidentja Osmani dhe natyrisht që do t’i themi qëndrimet tona në raport me situatën aktuale. Pra, gjithçka në kohën e vet. Nesër do ta japim qëndrimin e LV-së”, ka thënë ajo.
Ajo është pyetur edhe për mbledhje të nënshkrimeve, por ka thënë se ato s’kanë të bëjnë me mandatarin.
“Nuk ka nënshkrime. Në asnjë letër s’kam vendosur nënshkrimin përveçse për të formuar grupet parlamentare. Nëse do të ketë ndonjë nënshkrim tjetër apo ndonjë veprim tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje unë ju njoftoj”, ka deklaruar Haxhiu.



