
Një mashtruese përfituese
Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA
Yjet që nuk i kishim parë më herët: Kosova është vend i mundësive të mëdha për ish-udbashët jugosllavë, për nostalgjikët e Serbisë, për urrejtësit e luftës së lavdishme të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, për urrejtësit ndaj ish të burgosurve politikë, për bijtë dhe bijat e zagarëve që lehnin shqip e kafshonin serbisht, për llumin njerëzor, kombëtar dhe moral dhe të tjerë të cilët, që nga koha e Car Dushanit nuk kanë bërë asgjë për kombin dhe territorin ku kanë jetuar. Këta sot, për fatin tonë të keq po e “udhëheqin” Kosovën duke shkelur brutalisht mbi vuajtjet shekullore, mundin dhe gjakun e derdhur të shqiptarëve në luftë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar. Këta të pafytyrë qajnë për mjetet që janë ndarë për mbrojtje të udhëheqësve ushtarakë dhe politikë që e çliruan Kosovën, e shpallën pavarësinë dhe e ndërtuan një infrastrukturë institucionale dhe fizike dhe po mbahen si pengje të proceseve politike në Hagë. Këta po i vajtojnë 32 milionë euro ndërsa kanë vjedhur përmes Martin Strujës, Teneqe Mutatit, Cen Mishit, Baronit të Ujit, HAJNrullahut, Peculkës, vejushës së Panxhabit dhe të tjerëve qindra milionë euro. Këta të pafytyrë, duke kapur pushtetin brutalisht, kanë vendosur persona më antikombëtarë, më të pamoralshëm në vend me përgjegjësi ndonëse puna e parë në jetën e tyre ishte pikërisht posti që ua fali Kurthi për ta siguruar servilizimin e pariciklueshëm ndaj tij.
Kurthi, Vojsa Osmani, Xhelal Sfeqla, Donika Shvarc, Lenka Haxhiu, me alkiminë e tyre antikombëtare ia mundësuan një hiçmosgjëje të shndërrohet nga një person non grata, e rrezikshme për sigurinë e vendit, sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në një person alfa dhe omega për të gjitha proceset politike dhe kombëtare në Kosovë sepse në Shqipëri nuk e lejojnë të hyjë as në qenefet e Maqellarës. Në Kosovë nuk ka punësim partiak, tender partiak, emërim partiak, blerje të rrymës, dëmtim të çështjes politike a kombëtare ku kjo ushujzë greke nuk është e pranishme. Prandaj, çfarë motivi kanë këta të bëjnë ndonjë punë të mirë për Kosovën, për shqiptarët jo se jo, përveç që flasin shqip, asgjë shqiptare nuk kanë në mendjen, trupin apo anatominë e tyre. Përveç se në emër të kombit kanë manipuluar për ta marrë pushtetin. Dhe këtu përfundon “kombëtarizmi” i tyre, qoftë edhe si improvizim.
Ditë më parë dy ish-jugosllavëve të përkushtuar dhe përbetuar, të cilët asgjë nuk kanë bërë për shqiptarët dhe Kosovën, nëse keqbërja llogaritet bërje apo kontribut, atëherë kontributi i tyre është kolosal, i dhanë të drejtë që të vënë nën dyshim demonstratat e vitit 1981, Masakrën e Tivarit, personalitetin e Bacë Adem Demaçi etj. në një bullshit emision të quajtur Pordhë dhe Pikë! Jeton Qurroi kundër UÇK- së ka shkruar libra ndërkaq e burgosin një politikan të Serbisë që paska folur keq për UÇK-në! Nuk është normale që serbët të flasin mirë për UÇK-në sikur që nuk është normale që Azem Vllasi dhe Veton Surroi të quhen patriotë shqiptarë, patriotë jugosllav, pa asnjë dyshim janë!
Agim Bahtiri, një i padijshëm që nuk mund ta gjeni as në librin e Ginisit, kohëve të fundit, si mizë kali e Kurthit po jep deklarata politike, merreni me mend, politike sikur opozita në Kosovë, me 53 deputetë shqiptarë po punon me Serbinë për ta rrëzuar Kurthin dhe se PDK-ja dhe LDK-ja po bëhen një parti. Pastaj, mos e dërgoni këtë injorant dhe leshko në Shtime, te “Çlirimtari”! Kur ta dëgjoni Nezir Krakovinën atëherë, sinqerisht duhet ta falënderoni Francën që merret me raste të tilla e që ne, për shkak të mungesës së kapacitetit profesional, nuk do të mund të bënim asgjë!
Çka ka fituar Kosova prej Donika Shvarcit përveç turpërimit, anekënd botës, cep më cep, duke përhapur injorancën dhe mediokritetin e mbështjellë me diplomaci. Personalisht Donika Shvarc ka fituar shumë, materialisht dhe estetikisht. Brendinë e ka të pandryshuar, katran zi. Këta, me të tjerët e kanë shkatërruar Kosovën, materialisht dhe strategjikisht duke e bërë të pajetuar për pjesën e madhe të qytetarëve dhe duke e bërë Eldorado (tokë e premtuar) për oligarkët autokratë politikë dhe rrogëtarët e tyre.
Një mashtruese e lakuriquar: Vojsa Osmani, pasi e ndau në dysh LDK-në, partinë që ia krijoi të gjitha mundësitë për ngritje në karrierë, u zgjodh presidente falë votave edhe të Listës Serbe, u shndërrua në vasale kronike të Albin Kurthit, deri në kohën kur Kurthi e futi në ricycle been (shportë të mbeturinave politike), për ta ricikluar, nëse do të ketë nevojë për të. Në anën tjetër, Vojsa Osmani, që më shumë mund të konsiderohet si presidente e Ukrainës sesa e Kosovës, edhe nga “shporta e mbetjeve politike” mbante të gjallë shpresën edhe për një mandat të dytë, të sponsorizuar nga kryemashtruesi Kurthi (po thirrem në burimet e Haradinajt). Vojsa Osmani kohën më të madhe e ka kaluar duke udhëtuar nëpër botë, edhe atje ku nuk ka pasur fare nevojë të shkojë përveç përfitimit material për t’i shlyer faturat për …..shtëpi në varg në Marigona Hill, lagje kjo shumë modeste për qytetarë që mbijetojnë falë skemave sociale. Ndonëse në raporte “të ngrira” me Kurthin, nuk ka lënë deklaratë a veprim pa ia mbajtur zhagun Kurthit, si presidente “unifikuese”. Kjo, po të kishte fuqi apo përkrahje politike, do të bënte gjëra dhe Kurthi do të mbetej një “good boy”, krahasuar me te. Mirëpo nuk e ka asnjë fuqi dhe nuk do ta ketë prandaj përjetësisht do të mbetet shërbyese civile e të fortëve të pushtetit, dikur e Fatmir Sejdiut dhe Isa Mustafës (që të dyve ua punoi pabesisht), aktualisht e Kurthit (ky u tregua më i mençur). Kur nuk pati çka të bëjë për të mbuluar rrenat për sulmin e Serbisë, madje në vallen e rrenave e futi edhe Trampin, e sulmoi, pa pikë sensi e morali, Avdullah Hotin i cili, krahasuar me Vojsën është katalog i sjelljeve dhe vlerave njerëzore! Vizitat në ShBA ishin mashtrim vizuel për të lënë përshtypje se është “njeri i Amerikës”! Këtë pastaj do ta materializonte për mandat të dytë. Kjo, bashkë me Kurthin gjatë 5 vjetëve të fundit kanë terrorizuar qytetarët duke mbjell frikë për sulmet e Serbisë për të mbuluar dështimet kolosale në të gjitha fushat. Nuk e them se Kurthi, bashkë me Vojsën kanë marrëveshje me Vuçiqin por, nëse analizohet kronologjia e zhvillimeve del se Kurthi dhe Vuçiqi janë “binjakë ballkanik – sijamez” që iu kanë gjetur njëri – tjetrit në çdo kohë dhe në çastet më të ndjeshme.
Së fundi, Vojsa Osmani, për herë të dytë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pasi herën e parë e pati bërë fet. Tash, dinakërisht, nuk kërkon kurrfarë sqarimi por thjesht, si rrogëtare e Kurthit blenë kohë për padronin duke kërkuar pezullim të vendimit të mëparshëm me të cilën Gjykata Kushtetuese e cakton afatin prej 30 ditëve për formim të Kuvendit. Merreni me mend, presidentja e vendit del mbi Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar që GJK ta pezullojë vendimin e saj duke e dhunuar Kushtetutën të cilën duhet ta mbrojë!!!! Në vende normale dhe gjysmë normale, një presidente e tillë do të shkarkohej menjëherë ndërsa në Kosovë kjo përpjekje për të bërë krim kushtetues konsiderohet si “kontribut për zgjidhje të ngërçit”. Vojsa Osmani, për këtë çështje nuk ka pasur fare të drejtë t’i drejtohet GJK për faktin se ajo ka përgjegjësi për funksionim të institucioneve e jo formim të institucioneve. Kjo është përgjegjësi ekskluzive dhe ligjore e deputetëve të Kosovës, partisë fituese e cila duhet të kërkojë dhe sigurojë konsensus politik. As e presidentes e as e Gjykatës Kushtetuese. Votuesit është dashur të lëvizin duke kërkuar përgjegjësi përmes protestave dhe, po të veprohej kështu, kjo çështje do t’i takonte të kaluarës. Çka ka Gjykata Kushtetuese të merret me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës në kohën kur, si akt nënligjor kur është miratuar ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës!
Fatmiri apo Fatkeqi: Anëtarësia e LV-së, bashkë me korin e llaskucëve gjithëpërfshirës, në me krye prof. dr. Ramçen dhe Toger Tomçen, janë të magjepsur dha po shprehin respekt dhe dashuri pasionante për Fatmir Limajn – komandant Çelikun, dikur të quajtur Fatmir Asfalti dhe Hajni i 200 milionëve. Madje edhe rrugën ku jetonte e kishin riemëruar “Rruga e 200 milionëve”. Tash, kur po kanë nevojë për tri vota të Fatmir Limajt, iu ra ndërmend se është komandant i shquar i UÇK-së dhe se pa punën e tij vetmohuese, balta do të na ngjitej këmbëve, jo vetëm në fshatra të Kosovës por edhe në vet Prishtinën. Tash po mburren me ndershmërinë, largpamësinë dhe integritetin njerëzor, kombëtar, politik dhe moral, sidomos moral të Fatmir Limës. Po e vlerësojnë lartë gatishmërinë e tij prej burrështetasi të sakrifikohet për Kosovën duke u bërë patericë e LV-së dhe Albin Kurthit. Lëvdatat më të mëdha i ka nga Donika Shvarc, Nezir Krakovina, Peculka, Dilmali, Agim Bahtiri, Mef Baçina, HAJNrullahu dhe të tjerët. Rrallë më ka ndodhur që ndaj një partneri të mundshëm për koalicion të ketë përkrahje aq konsensuale sikur në këtë rast. Po e përkrahë edhe Lenka Haxhiu, pasi u sigurua nga zemlakja e Radoiçiqit se Limaj nuk mund të zgjidhet kryeparlamentar. Pastaj, edhe Kumbara i Kosovës, Albin Kurthi publikisht e tha se Limajt i ka ofruar një propozim konkret, i cili……..nuk mund të refuzohet. Sikur don Vito Korleone në filmin “Kumbara”. Mirëpo, as Limaj nuk është treguar mosmirënjohës dhe shpërfillës ndaj këtij lumi të emocioneve të derdhur nga lotët e krokodilit të LV-së duke ofruar bashkëpunim të pakushtëzuar, me vetëm një kusht, qeverinë Kurthit , Kuvendin Fatmirit. Tha se kanë arritur “marrëveshje orale xhentelmenësh (xhentelmenët nuk nënshkruajnë) që posti i kryetarit të Kuvendit t’i takojë Fatmir Limajt. Duke e njohur mirë Kurthin asnjëherë nuk kam dyshuar se ai e mbanë fjalën. Kështu edhe ndodhi, Kurthi i ofron Limajt bashkëqeverisje e që, në rastin e parë Limajn e trajton si Agim Veliun. Si kryetar Kuvendi nuk mund ta shkarkojë, si pjesë të qeverisë i shkarkon kur të dojë dhe në vend të tyre emëron anëtarë të LV-së. Nuk është se Limaj bien lehtë në kurthin e Kurthit ama pushteti ta humbë baraspeshën dhe arsyeshmërinë e të menduarit. Sidomos kur jeni të rrethuar me ajkën e intelektualëve që udhëhiqet nga Forumi Evropian 2030 në me krye eruditin Artan Nimanin. Në tërë këtë proces, u preka shumë, ndoshta edhe jam ligështuar, më duhet të jem i sinqertë më rrodhen edhe lotët kur Fatmiri, si faktin kryesor për një koalicion të mundshëm nuk e përmendi lakminë për pushtet por faktin se “nuk dëshiron që kryeministri i tij të jetë i mërzitur ..”. Çka të them pas kësaj?!
Realisht, Limaj nuk do të jetë kryetar Kuvendi por mund të jetë pjesë e qeverisë e që për mua do të jetë keq për Fatmirin për faktin se ardhmëria e tij politike do të jetë shkrirja në Listën e LV-së, sikur Alternativa dhe Guxo. Ramiz Lladrovci, një njohës i shkëlqyer i zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe botë, një analist ekselent i ardhshëm politik, menjëherë pas zgjedhjeve pati thënë se Limaj nuk do të jetë kryetar Kuvendi por se sigurisht do të bëhet pjesë e qeverisë Kurthi 3. Ramiz Nostradamusi! I sheh gjërat pa ndodhë, ne të verbëritë informativ nuk i shohim edhe kur të ndodhin. Me formimin e Kuvendit do të ketë shumë fitues, Lenka Haxhiu, pa kredenciale profesionale dhe në kundërshtim me standardin minimal moral mund të zgjidhet kryetare, publiku i gjerë do të kursehet nga bezdisja dhe ngulfatja e “kryekyvendarit marionetë, Avni Deharit”, që i bënë standardit minimal të demokracisë, deputetët që do të mund t’i përdorin telefonat e tyre pasi nuk do të ketë më: “regjia, ndaljani telefonin ..” Humbësja më e madhe do të jetë Vojsa Osmani që u vonua për çdo gjë për të siguruar edhe një mandat, si notere e përmbaruesit politik, Albin Kurthit. Mos të harrojë, llogaria nuk i doli mirë as Arianit Kocit i cili tha se po e sakrifikon edhe një pjesë të trupit për të mirën e Kosovës dhe njerëzimit, leshin e kokës që quhen flokë dhe sipas anatomisë, flokët nuk janë pjesë e trupit. Sipas Kocit edhe leshi i shpërndarë në pjesët e tjera të trupit qenkan pjesë e trupit apo mbulesë e turpit!
“Shkatërruesit” dhe shkatërruesit e shtetit: Më 26 korrik, ata që i qëndruan Bacës Adem Demaçi afër gjatë tërë kohës do ta nderojnë vendin ku prehet në amshim, sikur çdo vit tjetër. Me një kurorë apo buqetë lulesh kujtohet Abetarja, Kuptimi dhe Akademia e shqiptarëve në luftë për çlirim, liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, Bacë Adem Demaçi. “Shkatërruesit” e shtetit që e sollën lirinë, e shpallën pavarësinë dhe e ndërtuan shtetin do të mungojnë, janë pengje të një Gjykate Speciale Raciste në Hagë. Shkatërruesit real dhe të mirëfilltë të shtetit do të jenë aty, disa me tërë pafytyrësinë e tyre për faktin se tërë jetën e tyre kanë punuar kundër mësimeve të Bacës Adem. Poshtërsia nuk ka kufij.