Një miliarder amerikan trondit Lojërat Olimpike Dimërore, dhuron 200 mijë dollarë për vendin e fundit
Ros Stivens është kthyer në personazhin kryesor të Lojërave Olimpike Dimërore që po zhvillohen në Itali. Jo duke marrë pjesë në gara, por duke u siguruar që ata të cilët garojnë për vendin e tij, të mos shqetësohen për financat.
Miliarderi amerikan, i cili është pronari i fondit “Stone Ridge Holdings Group”, ka marrë vendimin që të ndihmojë sportistët e SHBA të cilët garojnë në këtë aktivitet, duke i bërë praktikisht të pasur të 232 pjesëmarrësit.
Ai ka dhuruar një shifër marramendëse e cila do të ndajë nga 200 mijë dollarë për secilin sportist, në formën e një garancie mbi shëndetin, pavarësisht pozicionit në të cilin ata do të mbyllin garat në të cilat marrin pjesë. Të gjithë sportistët do të trajtohen në të njëjtën mënyrë, me qëllimin që SHBA të ketë shanset më të mira për të dominuar në këtë aktivitet dhe përfitimi do të jetë edhe për atletët që e mbyllin të fundit.
“Dua të shmang që pasiguria financiare, të ndalojë atletët tonë të elitës që të arrijnë nivele të reja të ekselencës”, ishin fjalët e Sitvens. Kësisoj, ai ka caktuar një fond prej rreth 100 milionë dollarësh, i cili garanton që çdo sportist të përfitojë 100 mijë dollarë kur të mbushë 45 vjeç, ose kur të mbushen 20 vite nga pjesëmarrja e parë në Olimpiadë. Paralelisht, janë 100 mijë dollarë të tjerë të cilët do u kalohen familjeve të tyre kur ata të ndërrojnë jetë. Një garanci siç nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, që i bën më të veçanta këto Lojëra Olimpike Dimërore për sportistët amerikanë.



