Një muaj paraburgim për personin që shkaktoi vdekjen e punëtorit në Prizren

24 qershor 2026 | 16:23

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për A.G., shofer i kamionit të betonit, lidhur me rastin ku një punëtor humbi jetën në lagjen “Arbanë” të Prizrenit.

Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës me pasojë vdekjen e një personi”.

Ngjarja ka ndodhur më 22 qershor rreth orës 08:15, në një objekt banesor, ku gjatë punës me pompën e betonit dyshohet se ajo nuk ishte vendosur në mënyrë të sigurt nga i pandehuri.

Gjatë shkarkimit të betonit, një gyp është shkëputur dhe ka goditur në kokë viktimën V.M., e cila ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të rënda.

“Me datë 22 qershor, rreth orës 08:15 minuta, në lagjen Arbanë, në Prizren, në objektin banesor, i pandehuri A.G., si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nga pakujdesia nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme dhe nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri si shofer dhe përgjegjës i pompës së betonit, nuk e vendos në mënyrë të sigurt pompën e betonit, ku gjatë zbrazjes së betonit nga mikseri i betonit për një moment rrëshqet pompa e betonit, ku nga rrëshqitja shkëputet një gyp nga pompa dhe e godet viktimën V.M., në kokë duke i shkaktuar vdekjen”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit…