Një muaj paraburgim për shtetasin serb, i dyshuar për krime lufte në Zhegër

17 shtator 2025 | 15:34

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj D.N., shtetas i Serbisë, i cili dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë, më 30 prill 1999.

Sipas njoftimit të gjykatës, D.N., në kohën e krimit të supozuar, ka qenë komandant i Nënstacionit Policor në Zhegër të Gjilanit, dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar apo ndëshkuar autorët e masakrës në të cilën u vranë 13 anëtarë të familjeve Hyseni dhe Shabani.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N., në cilësinë e komandantit, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, konkretisht nenet 86 dhe 87 të Protokollit Shtesë I të vitit 1977 të Konventës së Gjenevës së vitit 1949, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar apo ndëshkuar kryerësit e krimeve ndaj popullsisë civile”, ka njoftuar gjykata.

Sipas prokurorisë, pavarësisht se ishte lajmëruar përmes një letre nga të mbijetuarit D.H. dhe I.H., D.N. ka zgjedhur të largohet nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masa të nevojshme apo të arsyeshme për të ndalur krimin, për ta hetuar apo proceduar penalisht.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri është pajtuar me pasojën e dëmshme dhe ka vepruar në kundërshtim me përgjegjësinë e tij komanduese”, ka njoftuar gjykata, duke shtuar se këto veprime inkriminuese mbështeten nga deklaratat e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve.

Gjykata ka vlerësuar se rreziku i arratisjes është real dhe i bazuar, duke pasur parasysh që D.N. është shtetas i Serbisë, dhe nëse lirohet, mund të shmanget nga drejtësia dhe të jetë i paarritshëm për fazat tjera të procesit penal.

“Pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj paraburgimi është masë e domosdoshme. Çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për mbarëvajtjen e procedurës penale”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

I dyshuari është arrestuar para dy ditësh në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ndërsa tani ndodhet në paraburgim me vendim të formës së parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i njohur kroat, Robert Prosineçki, pritet të shkarkohet të…