
Një në tre persona pa ushqim në Gaza, 90 mijë gra dhe fëmijë në rrezik
Gjendja humanitare në Rripin e Gazës vazhdon të përkeqësohet, me Programin Botëror të Ushqimit (WFP) që jep alarmin për përmasat e urisë dhe kequshqyerjes në territorin e rrethuar.
Sipas të dhënave zyrtare nga WFP, pothuajse një në tre persona kalon ditë pa ngrënë, ndërsa 90,000 gra dhe fëmijë kanë nevojë urgjente për trajtim për shkak të kequshqyerjes.
Agjencia thekson se pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, ndihma ushqimore që po shpërndahet mbulon vetëm një pjesë të vogël të nevojave të mbi dy milionë banorëve të Gazës.
WFP kërkon hapjen e qasjes për ngarkesat tregtare dhe rivendosjen e furnizimeve me produkte esenciale si fruta, perime, mish dhe produkte të qumështit, duke theksuar se mungesa e tyre po ndikon rëndë në shëndetin e popullsisë.
Deri dje, ishin rreth 3,500 ton ndihma (rreth 300 kamionë) të gatshme për shpërndarje, por vetëm dy kalime kufitare janë të autorizuara për qarkullim. Agjencia paralajmëron se duhen rrugë më të sigurta dhe më shumë shoferë për të shpërndarë ndihmën në mënyrë efektive – aktualisht janë të lejuar vetëm 60 shoferë.
WFP i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për veprim të menjëhershëm, në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës humanitare.