“Një nga çastet më të vështira të historisë sonë”- Reagon Zelensky pasi Trump i dha 1 javë kohë për ta pranuar planin
Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje të premten ukrainasve të jenë të bashkuar, si dhe u zotua se kurrë nuk do ta tradhtojë Ukrainën, në një fjalim drejtuar kombit pasi Shtetet e Bashkuara ia paraqitën Kievit një plan për paqe, i cili mbështet kërkesat kryesore të Rusisë.
Duke folur në rrugë para zyrës së tij, një vend që ai e përdor shumë rrallë për fjalime të mëdha, Zelensky tha se Ukraina po përpiqet ta ruajë lirinë e vet dhe njëkohësisht mbështetjen e aleatit të saj më të rëndësishëm.
“Ky është një nga çastet më të vështira të historisë sonë. Tani, trysnia mbi Ukrainën është ndër më të mëdhatë. Tani, Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose ta humbë dinjitetin ose të rrezikojë ta humbë një partner të madh”, tha ai.
“Unë do të luftoj 24/7 për t’u siguruar që të paktën dy pika të planit të mos anashkalohen: dinjiteti dhe liria e ukrainasve”, tha Zelensky.
Uashingtoni ia ka paraqitur Kievit një plan me 28 pika, i cili kërkon që Ukraina të dorëzojë pjesë të tokës së vet, të pranojë kufizime në ushtrinë e vet dhe të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO.
Dy burime i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës një javë kohë për ta pranuar planin.
Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me ndërprerjen e ndarjes së informatave të inteligjencës dhe furnizimet me armë për Ukrainën, nëse ajo nuk e pranon marrëveshjen, thanë burimet, duke folur në kushtet e anonimatit.
Një delegacion ushtarak amerikan u takua me Zelenskyn në Kiev të enjten. Ambasadorja amerikane dhe shefi i informimit të ushtrisë që udhëtonin me delegacionin e përshkruan takimin si të suksesshëm dhe thanë se Uashingtoni po kërkonte një “afat agresiv” që SHBA-ja dhe Ukraina ta nënshkruajnë një dokument.
Zelensky zhvilloi bisedë telefonike të premten me liderët e aleatëve Britani, Gjermani dhe Francë, dhe më pas foli me nënpresidentin amerikan JD Vance.
Liderët evropianë, të cilët nuk ishin konsultuar për planin me 28 pika, shprehën mbështetjen e tyre të fortë për Kievin.
“Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë, por mënyra se si përfundon ka rëndësi. Rusia nuk ka asnjë të drejtë ligjore për asnjë lëshim nga vendi që ajo pushtoi”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Ky është një moment shumë i rrezikshëm për të gjithë”, shtoi ajo.



