Një nismë e bukur
Sadik Krasniqi
Anisa Mulolli, Dornröschen, vach auf, Werlag Haus: ‘BoD’, Hamburg
Gjimnazistja Anisa Mulolli vjen para adhuruesve të fjalës së bukur me librin e parë me poezi në gjuhën e Gëtes, në gjermanisht. Dornröschen wach auf, si titull libri (konvencional e përrallor), është zgjedhur me mjaft shije. Titulli metaforik Dornröschen wach auf (Bukuroshe e fjetur, zgjohu!), i shërben idesë, temës e poetikës së librit. Anisa hyn bindshëm, vrullshëm, e begatë, me tema e motive dhe mjaft e sofistikuar figurativisht në botën krijuese. Përmes 43 poezive të këtij vëllimi, poetesha e re shfaq kredon e saj për mundësinë e reflektimit në mënyrë estetike të raporteve të saj me botën që e rrethon. Kjo botë është shumë e gjerë dhe e pasur me ndodhi, sende, njerëz, kafshë e fenomene. Në këtë kontekst, përpiluesi i parathënies së librit, njëherësh arsimtari i poetes, Frank Hegemann, shprehet: E gjithë bota në një poezi (In einem Gedicht die ganze Weld ).
Poezitë e Anisës janë frymëzime të perceptimit të një adoleshenteje për botën që e rrethon. Këto marrëdhënie të determinuara nga mosha e saj delikate janë tejet emocionale, njëherësh intelektuale dhe, gjithsesi, edhe estetike. Poezitë e saj, përveç aspektit estetik, kanë edhe atë etik: merr sa të duhet, jep sa duhet – shprehet Anisa në një poezi.
Vetë titujt e poezive janë shumë impresivë, si: Përmes qytetit, Teatri në teatër, Ata janë vetëm gënjeshtarë, Nata, Nga se njerëzit janë të tillë, Bota, Nëse njerëzit qajnë, Gjenerata e re, Fund i gëzuar, Sensi, Zemra, Pritja e trenit të fundit, Ndjesë, Vetë mbretëreshë, Bukuroshe e fjetur, zgjohu!, Gjethi në erë, Gjithmonë fëmijë, Dashuri ose para, Lexoni çfarë shkruaj, Më mbaj, Kukullat e bukura, Rojtarja e natyrës, Gjarpri, Psikopat shërues, Klithja, Humbësi, Nuk do të harroj, Heshtje para rrufesë, Shtegu im, Të gjithë e dimë, Zëri i sirenës etj. Poezitë e këtij libri janë ligjërime lirike të një introspektive të thellë të poetes në marrëdhënie me jetën, shoqërinë, rrethanat, sendet, gjërat dhe fenomenet e përditshmërisë. Ajo, duke parë e përjetuar realitetin e jetës si “matematikë tejet të vështirë” (Die Realität ist die schwertse Matematik), me kompleksitetin e vështirësitë e saj të shkaktuar nga të rriturit, herë-herë bie në situata të personazhit Oskar, të Gynter Grasit, me dëshirën që të mbetet gjithmonë fëmijë, si sinonim i pafajësisë, çiltërsisë dhe engjëllores.
Duke lexuar disa poezi të Anisës sikur hasim në një “zymtësi”, por kjo “zymtësi” nuk ka të bëjë fare me pesimizmin, është thjesht një revoltë për gjërat që nuk i pëlqejnë poetes ose, siç thotë Niçja, “pesimisti është një idealist i zemëruar”. Ndaj poetesha ka shpresë, vizion, ideal për një të ardhme më të mirë, për të cilën lufton si gjeneratë me zemrën e mirë dhe mendjen e ndritur. Poetesha në një poezi shprehet: “Wenn Menschen weinen, strahlen ihre Herzen” (Nëse njerëzit qajnë, zemrat e tyre shkëlqejnë).
Semantika e ligjëratës poetike te ky vëllim me poezi ndërtohet përmes një strukture sintaksore me vargje të gjata në strofë monokolonëshe. Vargjet janë fjali të zgjeruara me të gjitha pjesët e ligjëratës, me një arsenal të pasur leksikor. Duke qenë se në këto poezi ka shumë detaje, poeteshës sikur i imponohet forma e të shprehurit me një strukturë “prozaike”. Por, në esencë, kurrsesi nuk është e tillë, ngaqë vargjet kanë një ritëm metrik me një harmoni të bukur intonacioni, përmes rimave të bukura fundore. Vargjet me rimat e bukura dhe të përhershme imponojnë një lexim deklamativ me një emocion përjetues e impresiv.
Figurshmëria në poetikën e Anisa Mulollit është një estetikë e kontrasteve metaforike e metonimike:
“Nur noch Sterne, die fungeln (shkëlqejnë)
Und überleben könen im dunkeln (errësirë)”.
Në fund mund të themi se niveli i lartë artistik i librit të parë me poezi i Anisës jep sinjalet e një talente me një personalitet të fortë e që në të ardhmen e afërt do të jetë një krijuese e shquar dhe me shumë botime. Këtë, madje, e thotë edhe vetë poetesha përmes vargjeve me plot kredo: “Natürlich bin ich stark, klar mache ich weiter”, (Natyrisht jam e fortë, qartë, e unë do të vazhdoj tutje)



