Një ofertë e majme nga Arabia Saudite për Dembelen pas Botërorit, PSG-ja në alarm

28 janar 2026 | 13:32

Futbolli evropian është përfshirë sërish nga spekulimet e merkatos, këtë herë rreth një prej yjeve më të ndritshëm të Paris Saint-Germainit.

Sipas mediave italiane, Saudi Pro League po e përgatit një ofertë të majme për sulmuesin e PSG-së dhe fituesin e Topit të Artë 2025, Ousmane Dembele, pas Kupës së Botës, shkruan “Tuttomercatoweb”.

Figura të larta të kampionatit saudit kanë nisur sondazhet paraprake për të sjellë në ligën e tyre 28-vjeçarin francez, i cili është një ndër lojtarët më të kërkuar në skenën ndërkombëtare.

Plani i investitorëve sauditë duket se bazohet në një paketë financiare tepër tërheqëse, në përpjekje për ta bindur Dembelen që të largohet nga kampionati francez dhe ta fillojë një eksperiencë të re në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, sipas burimeve, Dembélé mbetet i fokusuar te sezoni aktual me PSG-në dhe nuk pritet t’i shqyrtojë opsionet e transferimit derisa të mbyllet Botërori 2026.

Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit dhe i Barcelonës e ka shprehur dëshirën për t’i fituar përsëri trofetë kryesorë me Parisin, duke e përfshirë edhe Champions Leaguen dhe titullin e Ligue 1.

Ndërkohë, një tjetër pikë kyçe për të ardhmen e francezit lidhet me situatën e kontratës së tij.

Ai i ka rreth dy vite e gjysmë kontratë me PSG-në dhe negociatat për një vazhdim të mundshëm kanë nisur.

Presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi, ka qenë i prerë se çdo lojtar duhet ta respektojë strukturën e pagave të klubit, duke nënkuptuar se negociatat mund të jenë të ndërlikuara nëse kërkesat financiare kalojnë kufijtë e paracaktuar.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Saudi Pro League po synon ta bëjë një “valë të dytë” të transferimeve të mëdha, pas periudhës kur solli në ligë emra të njohur globalë.

Interesimi për Dembélén tregon përpjekjen e kampionatit saudit për ta ngritur edhe më tej profilin e tij ndërkombëtar, duke synuar talente që janë në majë të karrierës.

Nëse oferta reale do të arrijë në tryezë dhe sa do të jetë shifra finale e negociatave, mbetet të shihet, por diçka është e qartë: emri i Dembeles do të jetë ndër temat kryesore të verës së ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javën e kaluar, ka organizuar…