
Një paradë e madhe ushtarake po planifikohet për ditëlindjen e Trumpit
Planet e detajuara për një paradë të madhe ushtarake të planifikuar të zhvillohet në ditëlindjen e presidentit amerikan Donald Trump janë zbuluar.
Sipas planeve të para nga AP, më shumë se 6,600 ushtarë, 150 automjete, 50 helikopterë dhe më shumë se 2,000 civilë do të merrnin pjesë në paradë.
Veprimtaria ishte planifikuar të shfaqte shtatë banda ushtarake, parashutistë, automjete ushtarake historike, një koncert në mbrëmje dhe fishekzjarre.
Por planet për të ekspozuar automjete të blinduara luftarake, obus dhe tanke kanë ngritur shqetësime për dëmtime të mundshme në rrugët e Uashingtonit.
Bëhet e ditur se Trump ka kërkuar prej kohësh një paradë ushtarake.
Pasi mori pjesë në një paradë të Ditës së Bastiljes në Francë në vitin 2017, presidenti kërkoi që të organizohej një ngjarje edhe më e madhe në Pennsylvania Avenue në Uashington.
Këto plane më pas u anuluan për shkak të tejkalimeve të kostove, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Sipas disa vlerësimeve, parada do të kushtonte afro 92 milionë dollarë.
Ndërkohë, propozimet e reja përkojnë me planet e ushtrisë amerikane për të shënuar 250 vjetorin e saj më 14 qershor.
Kjo datë është edhe ditëlindja e presidentit Trump, i cili do të mbushë 79 vjeç.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu sfida logjistike, duke përfshirë strehimin dhe ushqimin e mijëra personelit ushtarak, si dhe koston e lartë të transportit të automjeteve dhe aeroplanëve nga pjesë të ndryshme të SHBA-së.
Një dokument gjithashtu paralajmëron për “shqetësime të rëndësishme sigurie” nëse pajisjet transportohen me tren ose aeroplan.
“Ne duam që ajo të jetë një ngjarje që i gjithë kombi feston me ne. Ne duam që amerikanët të njohin ushtrinë dhe ushtarët e tyre. Një paradë mund të jetë pjesë e kësaj dhe ne besojmë se do të ishte e shkëlqyer”, tha Dave Butler, zëdhënës i ushtrisë amerikane.
Por kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser ka paralajmëruar më parë se tanket në rrugë “nuk do të ishin një ide e mirë”.
“Nëse përdoren tanke, duhet të ketë miliona euro për riparimin e rrugëve”, tha ajo muajin e kaluar.