
Një rrezik i madh në tregun e pasurive të paluajtshme po e sfidon ndërtimtarinë vendore
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Në këtë kohë të anarhis politike në Kosovë nuk e di sa ka vend për opinione ekonomike!
Ndoshta politikës vendore problemet ekonomike nuk po i interesojn por sektori privat duhet të jetë vigjilent dhe të veproj!
Heshtja është krim e ketë heshtje profesionistët nuk e pranojn!
Rëndësia e sektorit të ndërtimtaris për zhvillimin e një shteti është e pa kontestuar në shumë dimensione.
Në veti përmban punësim, prodhim, edukim, tregti ,financa, transfer teknologjik – know how dhe kontinuitet ekonomik.
Dhe nëse financa nuk i shërben ekonomisë reale, atëherë zhvillimi është vetëm një iluzion sipërfaqësor.
Rritja e kërkesës për kredi në Kosovë, veçanërisht për kredi hipotekare, është një tregues i gjallërisë së tregut financiar – por është koha të pyesim veten: çfarë po financojnë bankat, në të vërtetë?
Sot, një pjesë e konsiderueshme e kredive nuk po merren për nevoja të vërteta banimi, por për qëllime spekulative – për të blerë toka apo banesa që nuk përdoren, por mbahen si investime, me shpresën se “nesër do vlejnë më shumë”. Ky model, i nxitur në mënyrë të natyrshme nga interesat e tregut dhe kërkesa për fitim, po krijon një cikël të mbyllur ku paratë nuk qarkullojnë në ekonominë reale, por bllokohen në pasuri të paluajtshme.
Një tjetër problem i theksuar është mungesa e një tregu sekondar funksional të pasurive të paluajtshme. Kjo e bën të vështirë procesin e shitjes, kufizon likuiditetin dhe rrit rrezikun për investitorët që mbesin “të bllokuar” në prona që nuk mund të shiten lehtësisht.
Për më tepër, emigrimi i vazhdueshëm po e ndryshon ndjeshëm strukturën demografike të vendit. Më pak të rinj, më pak familje të reja, më pak kërkesë për banim në të ardhmen. Ky është një realitet që duhet të merret seriozisht nga të gjithë: tregu i banesave dhe tokave ka një kufi organik, dhe ai lidhet drejtpërdrejt me popullsinë që jeton dhe vepron këtu.
Nuk është gabim që bankat kërkojnë fitim – është plotësisht e natyrshme në një sistem financiar tregu. Por nëse përqendrimi mbetet vetëm te fitimi afatshkurtër, veçanërisht përmes financimit të pasurive të paluajtshme për qëllime spekulative, atëherë po i largohemi misionit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Në këtë mënyrë, po devijojmë burimet financiare nga sektorët ku ato janë më së shumti të nevojshme: prodhimi, bujqësia, biznesi i vogël, ndërtimi për banim real dhe zhvillimi lokal.
Është koha për veprime konkrete në interes të zhvillimit ekonomik dhe të qëndrueshëm me urgjencë sepse nesër do të jetë vonë, me pasoja të pa riparueshme zingjirore.