Një standard i ri në demokracinë e Kosovës
Shkruan: Ismail Syla
Dorëheqja dinjitoze
Dorëheqja e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ridëshmoi vlerat e tij njerëzore dhe politike.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare ai i hapi udhë kandidatit të PDK-së për kryeministër, z. Bedri Hamza.
Memli Krasniqi e drejtoi PDK-në në një fazë të ndieshme për pesë vjet, në kohën kur dy liderët e saj historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po mbahen në proces gjyqësor në Hagë.
Gjatë këtyre viteve, PDK-ja ndonëse nuk arriti të kalojë në pozitë, dëshmoi se ka statikë dhe strukturë të fortë, si organizmi i ushtarit spartan, i cili, i kalitur që në të ri, i përballon me sukses të gjitha sulmet, sëmundjet dhe goditjet.
Në një moment kritik, Melmi Ktasniqi prodhoi një standard të lartë me vlerë demokratike, që duhet të jetë model jo vetëm për PDK-në, për strukturat e saj hierarkike, po edhe për partitë tjera politike në Kosovë.
Akti i dorëheqjes nuk është fundi i karrierës, as fundi i botës. Përkundrazi, rasti Krasniqi tregon se ka dorëheqje dinjitoze, në kulm dhe krye të karrierës, që imponojnë respekt dhe konsideratë.
Dorëheqja e tillë krijon hapësirë të re demokratke, lë pa zë, pa gojë dhe pa tekst të gjitha akumulimet e pakënaqësive. Lë pa materie ambiciet, zilitë dhe fërkimet që ushqehen ndër vite, në faza të ndryshme të zhvillimeve politike.
Dorëheqja Krasniqi duhet të jetë vath në vesh për të gjithë ata që pas një autanalize, do ta kenë më lehtë për të lëshuar udhë atëherë kur nuk kanë më kapacitet, dije dhe aftësi për ta zhvilluar më shumë nëdegën, degën apo për t’i bërë efikase organet e partisë: këshillin e përgjithshëm apo drejtues, deri te institucioni i kryesisë.
Dorëheqja Krasniqi, si e tillë bëhet paradigmatike, dhe lë mundëdi pune dhe kontributi në të njëjtin subjekt, sepse është dorëheqje pa komprometim. Është akt i ndershëm pas një punë po aq të ndershme.
Kandidati i qëlluar
Në këtë lënie shije të mirë, dorëheqjes së z. Krasniqi i shtohet edhe deklarimi publik dhe preferenca e tij që kandidat për ta drejtuar PDK-në me sukses do të jetë z. Bedri Hamza.
Nga ana tjetër, shpallja publikisht e kandidaturës nga z. Bedri Hamza për kryetar të ri i të Partisë Demokratike të Kosovës është veprimi më i qëlluar, më racional dhe më i domosdoshëm në këto rrethana të vetë PDK-së dhe gjendjes së përgjithshme të skenës politike në Kosovë.
Nga aspekti praktik, PDK-ja unifikon politikisht pozicionin e liderit të partisë dhe rrjedhimisht të kandidatit për kryeministër në zgjedhjet e afërta parlamentare. Zgjedhjet e kaluara kanë shpërfaqur një lloj kundërthënie, apo thënë më lehtë konflikt interesi në diskrepancën midis funksionit kryetar dhe kandidat për kryeministër. Kjo situatë është parë si dobësim i pozicionit të kandidatit për kryeministër.
Në gjendjen aktuale të PDK-së, z. Bedri Hamza është profli politik më i kompletuar për kët funksion të lartë. Gjatë gjithë karrierës së tij, si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, ministër i financave dhe kryetar i Mitrovicës shënoi rezultate solide dhe ruajti integritetin profesional, institucional dhe qytetar.
Në situatën aktuale të PDK-së, z. Bedri Hamza është figurë që rrezaton pozitivitet, frymë bashkëpunuese dhe filozofi integruese. Në një parti historike, por edhe si organizëm i gjallë janë të natyrshme edhe pakënaqësitë e caktuar si: konfliktet e interesit të grupëzimeve, “lufta” e gjeneratave, rivaliteti midis meritokracisë dhe profiterëve të shkathtë etj. etj.
Brenda një historie çerekshekullore PDK-ja u ballafaqua edhe me shkëputje fraksionesh nga trupi i saj. Edhe kur pati disponim të kthimit të djemve plangprishës (NISMA) në shtëpinë e vjetër, pati rezitencë që ata të mos kthehen.
Është koha e duhur që z. Hamza ta hapë portën e madhe edhe për ata që u larguan në një kohë tjetër. Shoqëria është organizëm në tranformim dhe në transferim po ashtu. Në kohën e tashme mund të lihen anash mëritë e vjetra.
Ardhja e z. Bedri Hamza në krye të PDK-së ka rëndësi historike, jo vetëm për ta ruajtur kompaktësinë e PDK-së, por edhe për faktin që ta drejtojë një parti e cila para vete ka tri misione madhore.
Së pari, ta fuqizojë dhe ta bëjë forcë të parë politike PDK-në deri në kohën kur liderët e saj historikë të kthheen në mesin tonë, pas një mungese të padtejtë.
Së dyti, ta çojë në opozitë lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka bërë degradimin dhe regresin më të madh të jetës politike në Kosovë.
Së treti, të kthejë politikën institucionale në kursin politikës euroatlantike, duke e nxjerrë vendin nga izolimi dhe sanksionet.
Të, hënën, më 17 nëntor 2025, saktësisht 18 vjet pas fitores së PDK-së në dy palë zgjedhjet (17 nëntor 2007), po fillon një kapitull i ri i partisë shtetformuese, shtetndërtuese dhe më të lavdishme në historinë politike të Kosovës.
Suksese z. Bedri Hamza!



