Një tablo për maskaradën

25 maj 2021 | 16:59

Mërgim BEKTESHI

Gëzim Aliu, në vitin 2017, u ka dhënë lexuesve një roman krejt më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të lexojmë kohëve të fundit nga krijimtaria letrare shqiptare. Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” (Parnas, 2017), pos tjerash, shpërfaq artistikisht falsitetin dhe mediokritetin e ‘artistëve’ xhelozë e smirëzinj, teksa në prezantime imagjinare reflektojnë një lartësi qytetërimi të rremë.

Në këtë roman, në qendër është një gosti interesante që zhvillohet brenda disa orëve në shtëpinë e Cen dhe Anita Berishës. Të ftuarit “shkëlqejnë” nga stili perëndimor, me veshje të ndryshme, pamje, qëndrime e mendime. Autori me mjeshtri dhe si me ‘metër’ u bën përshkrime personazheve duke përkufizuar çdo detaj. Hamendjet, sorollatjet, bisedat, llafet, qeshjet, grindjet, thashethemet brenda kësaj shtëpie me formë arkitektonike të veçantë, paraqesin ndeshjen e dukjes perëndimore me hapësirën e ngushtë, edhe mendore e shpirtërore. Është një përpjekje për përqafimin e qytetërimit perëndimor, pas daljes nga lufta. Por, mysafirët e pispillosur e tradhtojnë vetveten shpesh dhe mospërputhjet mes shfaqjes dhe brendisë së tyre, e neveritin Cen Berishën.

Ndërkaq, ka një ngjallje më relative në përshkrimin psikologjik të mysafirëve që herë pas here Cenit i ngjajnë me fantazma. Autori kryesisht vëren përplasje të qytetërimeve dhe mundohet t’i pikturojë në një tablo sa më saktë, por duke mos harruar përkufizimin frojdian, i cili, sado që duket jo shumë bindës për psikologët e tjerë, ndër përsiatjet tona gjendet në ndër dijë dhe  pluskon në mendjet tona. Ndeshemi me seksualitet dhe shpërthurje të vetëdijes drejt qëllimeve finale, ndrydhje që janë të panevojshme në shumë situata, që domosdo autori i përshkruan ashtu siç mund të ngjajnë në jetën shoqërore. Këto cytje për të ndrydhur dhe ruajtur kontrollin normativ të shoqërisë duke u thirrur në etikën e brishtë të krijuar mes njeriut dhe qenies së tij si homosapiens, shpesh janë të meta që e tradhtojnë edhe njeriun më të ndritur të kohës.

Tabloja që krijon Gëzim Aliu ngjan me një maskaradë të cilën, përmes personazhit, e shndërron në një vështrim më të përveçëm për secilin mysafir veç e veç. Mysafirët, edhe pse nuk mbajnë maska, kanë maskat shpirtërore që fshehin identitetin neurotik përmes arteve pamore e të tjera, duke rrëfyer krijimin që në masë të madhe, aq sa e bezdisin autorin, e bezdisin edhe personazhin, Cen Berishën.

Guximi i autorit shfaqet edhe kur flitet për dorëshkrimin e Cen Berishës, që pulson të vërtetat që i shfaqen atij në ankthin për ngjarjet e paraluftës, luftës dhe të pasluftës, për heronjtë e vërtetë dhe ata të cilët i shërbyen me të vërtetë atdheut, dhe në anën tjetër, disa skenarë të shkurtër që mëtohen të bëhen filma, që nxjerrin në pah edhe dallaveraxhinj e bashkëpunëtorë të pushtuesit që lartësohen më vonë në shoqërinë kosovare. Kjo është pjesa më kulmore e romanit që të largon për një kohë nga trillet e mysafirëve, nga ajo maskaradë dhe shpërfaq vullnetin e Cen Berishës të djegë dorëshkrimin e tij apo të shkrihet e të humbë në tablonë e gjendjes aktuale, që e trishton dhe mbi themelet e së cilës bëhen përpjekje të ndërtohet një rregull i ri shoqëror.

Gëzim Aliu na ka dhënë një roman bashkëkohor, që duhet të lexohet pa ndërprerë për ta kuptuar situatën e ritmin e orëve të gostisë, roman me kompozicion atraktiv, duke mos të bezdisur në asnjë sekondë të vetme. Edhe ato detajet e meskinitetit kanë porosi në vete, po ashtu gjuha e lirë erotike e largon lexuesin nga monotonia, nga etika e panevojshme që shfaqet në libra të tjerë duke përdorur fjali të zëvendësueshme nga anatomia e njeriut dhe që zbeh trajtën e vërtetë aktuale gjuhësore.

Ky roman është për gjendjen e rëndë, të trishtueshme, është për “origjinalitetin” e individit dhe të shoqërisë sonë, për të fshehtat e një maskarade të përditshme, që duhet të zhvishet nga petku i marrëzisë e Gëzim Aliu e bën këtë me mjeshtëri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një ceremoni të rastit ku prezentë ishin Ambasadorja e…