Një tjetër flotë amerikane drejt Iranit, a po afrohet konflikti?

28 janar 2026 | 08:06

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të martën, 27 janar, se një tjetër “flotë luftarake” amerikane është nisur drejt Iranit, duke shprehur shpresën se Teherani do të arrijë një marrëveshje me Washingtonin.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara njoftuan mbërritjen e një flote detare të udhëhequr nga një aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, pas paralajmërimeve të Trump për një ndërhyrje të mundshme ushtarake mes tensioneve dhe protestave në Iran. Nga ana tjetër, Teherani paralajmëroi se është gati të përgjigjet ndaj çdo sulmi amerikan.

Trump ka kërcënuar më herët me ndërhyrje ushtarake, duke deklaruar Washingtoni do të dërgonte “një flotë masie, në rast emergjence”.

Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) njoftoi se aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, së bashku me anijet shoqëruese, është aktualisht e dislokuar në Lindjen e Mesme për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Në një intervistë për Axios të hënën, Trump u shpreh i lumtur me praninë e një “flote të madhe amerikane pranë Iranit”. Ai tha se Washingtoni po e monitoron nga afër situatën dhe shtoi:

Ata duan të arrijnë një marrëveshje. E di këtë. Ata duan të flasin.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi të hënën, 26 janar, për një “përgjigje gjithëpërfshirëse që do të sillte pasoja për çdo akt agresioni”. Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghaei, theksoi se “Teherani beson në kapacitetet e tij mbrojtëse”.

Duke iu referuar aeroplanmbajtëses amerikane, Baghaei shtoi se “mbërritja e një anijeje të tillë luftarake nuk do të ndikojë në vendosmërinë dhe seriozitetin e Iranit për të mbrojtur kombin iranian”.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë ushtarak iranian deklaroi për televizionin shtetëror se “grumbullimi i forcave dhe pajisjeve nga jashtë rajonit nuk do të shërbejë si faktor frenues, por do të rrisë cenueshmërinë e tyre dhe do t’i kthejë në objektiva lehtësisht të arritshëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vullnet Bugaqku, nga KDI në emisionin “Click” të RTV21, për…