Një udhëtim përmes Shkupit dhe Kosovës (1669)

12 qershor 2025 | 08:00

Mjeku dhe udhëpërshkruesi britanik Edward Brown ose Browne (1644–1708) nga Norviçi, udhëtoi shumë nëpër Evropë dhe botoi përshkrime të gjata të udhëtimeve të veta. Ai kujtohet veçanërisht për librin A Brief Account of Some Travels in Divers Parts of Europe [Një rrëfim i shkurtër i disa udhëtimeve në pjesë të ndryshme të Evropës], botuar në Londër më 1673, dhe ribotuar në vitet 1685 dhe 1687. Udhëtimi i tij në Ballkan, rreth vitit 1669, e çoi nga Vjena dhe Budapesti, përmes Serbisë, në Maqedoni dhe në Thesali. Në rrugën e kthimit, kaloi nëpër Shkup dhe Kosovë, për të cilat na ka lënë përshkrimin e shkurtër të mëposhtëm.

Nga: Edward Brown[1]
Përgatiti: Robert Elsie
Përktheu: Agron Shala

Në kthimin tonë, e lamë rrugën, afërsisht te Kaplanlihu, dhe u kthyem kah Skopia [Shkupi], një qytet me tregti të madhe dhe më i madhi në këto anë. Skopia ose Scupi i Ptolemeut, i quajtur Uskopia nga turqit, ndodhet në skajet më të largëta të Mëzisë së Epërme, ose në kufijtë e Maqedonisë, në këmbët e malit Orbelus, mbi lumin Vardar, ose Aksius, në një vend të këndshëm dhe të begatë, i shtrirë pjesërisht në kodra dhe pjesërisht në fusha. Fillimisht ishte një ipeshkvi, pastaj u bë seli kryeipeshkvie. Ende është një vend i këndshëm dhe i populluar. Aty ka shtatëqind tabakë, që regjin lëkurën në gropa të gjata prej guri dhe prodhojnë lëkurë shumë të mirë me të cilën furnizojnë edhe pjesë të tjera. Ka disa monumente të hijshme varresh dhe shumë shtëpi të bukura, si ajo e kadiut dhe ajo që i përket emirit, një prej të afërmve të Mahometit [Mehmedit], i ati i të cilit ishte shumë i nderuar në këto anë. Në oborrin e shtëpisë së emirit ndodhet një shatërvan i veçantë dhe i çuditshëm, i ndërtuar në formë kalaje, i rrethuar me shumë kulla, nga majat e të cilave buron uji. Shtëpitë më të mira janë të mbuluara me qilima të dendur për të ecur mbi ta, dhe kulmet e ndara në trekëndësha, katërkëndësha dhe figura të tjera, të zbukuruara me ar dhe të lyera me ngjyra të ndryshme, por pa asnjë figurë ose përfaqësim, as shtazor as bimor. Këtu ndodhet edhe një bedestan i bukur, i mbuluar me plumb; shumë rrugë të mbuluara me dru; dhe shumë vende janë të hijshme brenda dhe jashtë qytetit, rrethuar me drunj dhe kodra e lugina të këndshme.

Ka një numër të madh të xhamive apo të kishave turke. Më e bukura ndodhet në një kodër dhe ka një hajat të madh përpara, të mbajtur nga katër shtylla mermeri; pranë saj ka një kullë prej druri me një orë dhe një kambanë brenda; prej andej pata një pamje të mirë të qytetit. Po ashtu ka një hark, që duket të jetë i lashtë, dhe një përrua që kalon poshtë tij. Gjendet edhe një gur i madh, që duket të jetë pjesë e një shtylle, me këtë mbishkrim: SHANC. Pak jashtë qytetit, ndodhet një ujësjellës i shquar prej guri, me rreth dyqind harqe, i ndërtuar nga një kodër në tjetrën, mbi tokë të ulët ose luginë, që ka një lashtësi të hijshme dhe ia shton nderin këtij vendi. Kur Mahometi i Parë e pushtoi këtë qytet, vendosi aty një koloni aziatikësh, gjë që e bëri qytetin më turk se më parë. Këtu janë kryer vepra të mëdha në kohën e romakëve, veçanërisht nga Regillianusi [Regaliani]; siç dëshmon Trebelian Polio, ai fitoi shumë beteja dhe bëri vepra të mëdha në Scupi, saqë e meritoi një triumf. Afër këtyre anëve ndodheshin gjithashtu Paroekopolisi dhe Ulpianumi [Ulpiana].

Sanxhaku i këtij vendi është nën Bejlerbeun e Rumelisë ose Greqisë. Tregtia nga këtu zhvillohet drejt Beogradit, Thesalonikut ose Selanikut dhe shumë vendeve të tjera. Kam qenë më i hollësishëm në përshkrimin e këtij qyteti, sepse gjeografët e përmendin vetëm shkurtisht dhe asnjëherë nuk kam takuar ndokënd që të ketë qenë aty.

Prej andej udhëtuam drejt Catshanich-ut [Kaçanikut], një kështjellë që kontrollon kalimin mes kodrave; dhe më pas vazhduam derisa hymë në fushat e famshme të Cossova-s [Kosovës] në Bullgari; që disa e quajnë Campus Merulae, një fushë jo shumë më e madhe se Linkoln-Hithi, por skenë e veprimeve të mëdha. Këtu, ushtria më e madhe e krishterë që është mbledhur ndonjëherë në Evropë, me pesëqind mijë burra, nën udhëheqjen e Llazarit, despotit të Serbisë, luftoi kundër forcave të Amurahut [Muratit] të Parë dhe humbi betejën. Në atë betejë Llazari u vra; dhe Amurahu, teksa shikonte trupat e pajetë, u ther nga Michael Kobilovitz [Millosh Kopiliqi], një ushtar i krishterë, i lënë për të vdekur në fushë. Amurahu ka në këto fusha një monument përkujtimor, edhe sot e kësaj dite; dhe, ajo pjesë quhet Fusha e Varrit. Në të njëjtat fusha u zhvillua edhe ajo beteja e shquar mes Huniadit dhe Mahometit, që zgjati tre ditë me radhë; ku Huniadi, me forca shumë më të vogla, u mposht në fund.

Vazhduam drejt Prestina-s (Prishtinës), një qytet i mirë, ku prisnim të gjenim akomodim të mirë; por, sapo hymë në një dhomë të bukur, gjetëm një burrë të shtrirë, të sëmurë nga murtaja. Prandaj, duke menduar për sigurinë tonë, nuk qëndruam gjatë; dhe, me një rom si udhërrëfyes, udhëtuam përmes një vendi pak të banuar, por të frytshëm dhe të këndshëm, dhe u freskuam shumë me thana të mira, që rriteshin me shumicë përgjatë rrugës; kaluam gjithashtu pranë një banje të nxehtë, pak në të djathtë. Banja është një dhomë me harqe, e ndërtuar mirë dhe shumë freskuese për udhëtarët. Ka një sediment të kuq dhe është i ngopur me një lëng [succus lapidescens] që ngurtësohet dhe formon një gur ngjyrë hiri. Është brenda dy orësh nga Bellacherqua [Bellacërka] ose Cursumnè -ja [Kurshumlija], ku vura re një manastir dhe një kishë të vjetër me dy kulla të hijshme: prej andej, duke kaluar kodrën Jasnebatz [Jastrebac], arritëm në Eshelleck [Krushec], ndërmjet dy Moravave, dhe më pas pranë një kalaje mbi një kodër, afër së cilës ndodhet një manastir i njohur, ku ruhen trupat e Knez Llazarit dhe Shën Romanit, dhe më pas vazhduam […]

Po ashtu, mbetëm të hutuar nga gjuha e Shqipërisë, në pjesën veriore të Epirit dhe Perëndim të Maqedonisë. Përdorëm disa njerëz të asaj krahine për të kaluar malet, të cilët dinin pak sllavisht. Por, sa i përket gjuhës shqipe, apo gjuhës së tyre amtare, me të cilën kënaqeshin duke kënduar ditë e natë gjatë udhëtimit me ne, as përkthyesit tanë më të mirë, as turqit, as të krishterët, nuk kuptonin asgjë.

__________

[1] Pjesë nga: Edward Brown, A Brief Account of Some Travels in Divers Parts of Europe, viz. Hungaria, Servia, Bulgaria, Macedonia, Thessaly, Austria, Styria, Carinthia, Carniola and Friuli, through a Great Part of Germany and the Low Countries, through Marca Trevisana, and Lombardy on Both Side the Po, with Some Observations on the Gold, Silver, Copper, Quick-silver Mines, and the Baths and Mineral Waters in Those Parts. The Description of Many Antiquities, Habits, Fortifications and Remarkable Places (London: Benj. Tooke, 1687), fq. 32-33 dhe f. 7.

Kopertina e librit e udhëpërshkruesit Edward Brown

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende…