Një valë e fortë acari përfshin Europën, metereologu: Ka pak raste si ky në këtë shekull

10 janar 2026 | 22:37

Europa po përjeton një valë të fortë acari, e cila, edhe pse nuk arrin temperaturat ekstremisht të ulëta të regjistruara dje në Salla Naruska të Laplandës finlandeze (-42,3°C), ka sjellë të ftohtë të rëndë edhe në Itali: -23,1°C në Rrafshnaltën e Asiagos dhe -9,3°C në Prato.

Corriere della Sera shkruan se kjo valë acari ka prekur kryesisht zonat verilindore të kontinentit, duke u shtrirë gjithashtu në Italinë veriore, ndërsa në Siçili majat më të larta të Madonies janë mbuluar nga bora.

Sipas meteorologëve, temperaturat aktuale janë rreth 15 gradë nën mesataren sezonale, ndërsa kulmi i të ftohtit pritet gjatë natës mes së dielës dhe së hënës. Parashikimet flasin për temperatura minimale “arktike” në shumë zona alpine dhe veriore të Italisë, me vlera që në disa raste zbresin deri në -25°C.

Një i ftohtë i acartë po shënohet edhe në Rrafshin e Padanës, si dhe në pjesë të Toskanës, Umbrias dhe Apenineve qendrore, ku termometri ka zbritur disa gradë nën zero. Moti i ftohtë shtrihet deri në Kalabri, ku janë regjistruar temperatura negative.

Meteorologët e cilësojnë këtë situatë si një ngjarje shumë të rrallë për shekullin XXI, duke theksuar kontrastin e fortë me muajin dhjetor, i cili në disa qytete, si Milano, rezultoi më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë.

“Acari i fortë i së enjtes mund të klasifikohet si një ‘ngjarje jashtëzakonisht e rrallë e të ftohtit në shekullin XXI’”, thekson Lorenzo Tedici, meteorolog i iLMeteo.it.

Për shkak të kushteve të motit, Mbrojtja Civile italiane ka shpallur alarm të verdhë në pesë rajone: Umbria, Abruzzo, Lazio, Calabria dhe Campania bregdetare. Autoritetet paralajmërojnë një fundjavë dhe fillim jave tipikisht dimëror, me temperatura shumë të ulëta, megjithëse faza e acarit pritet të zgjasë vetëm edhe për disa ditë.

Nga mesi i javës së ardhshme, situata meteorologjike pritet të ndryshojë, pasi një sistem i gjerë atlantik do të sjellë reshje shiu dhe dëbore, si dhe një rritje të lehtë të temperaturave, veçanërisht gjatë ditës. Reshje të dendura shiu dhe dëborë të bollshme priten në Alpe, madje edhe në kuota relativisht të ulëta.

Ndërkohë, moti i keq ka goditur rëndë edhe Europën Perëndimore, ku stuhitë e forta kanë sjellë erëra me shpejtësi mbi 200 km/h, ndërprerje të energjisë elektrike dhe anulime të shumta fluturimesh. Në disa vende janë regjistruar temperatura rekord të ulëta dhe reshje të mëdha bore.

Sipas të dhënave satelitore europiane, rreth 80% e kontinentit është aktualisht i mbuluar nga bora, shifër kjo më e larta e shënuar që nga viti 2010, duke konfirmuar përmasat e jashtëzakonshme të kësaj vale acari në Europë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka dhënë detaje…