Një vit nga takimi i fundit i Thaçit me babanë e tij në spital: Në spital të thashë lamtumirë, nga Haga të them mirupafshim në parajsë!
Sot bëhet një vit nga momenti kur ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u lirua përkohësisht nga paraburgimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçin, i cili ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Vizita e Thaçit në Kosovë atëherë ishte e shkurtër dhe u realizua nën masa të rrepta sigurie, ndërsa takimi me babanë e tij u konsiderua një moment i rëndë dhe emocional për familjen. Vetëm disa ditë pas kësaj vizite, Haxhi Thaçi ndërroi jetë. “Në spital të thashë lamtumirë, babë! Nga Haga të them, mirupafshim në parajsë!”, ishte mbishkrimi i kurorës që u dërgua nga Thaçi në ditën e varrimit të Haxhi Thaçit.
Ky akt u përjetua me ndjenja të forta edhe nga shumë qytetarë në Kosovë, të cilët e panë mos lirimin e Thaçin në ditën e varrimit si një akti jonjerëzor nga ana e Gjykatës Speciale. Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dhe tani janë në pritje të vendimit. Gjykata tashmë është tërhequr për të marrë vendimin përfundimtar, i cili pritet të shpallet në periudhën në vijim.
Në Kosovë, pritja për këtë vendim shoqërohet me interes të madh publik, ndërsa shumë qytetarë dhe përfaqësues politikë kanë shprehur besimin e tyre në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe në karakterin çlirimtar të luftës së saj. Procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet një nga çështjet më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të ketë jehonë të gjerë politike dhe shoqërore në vend.



