Njerëzit po kthehen në Hënë për herë të parë pas 50 vjetësh
Për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, njerëzimi është duke u përgatitur për një udhëtim drejt Hënës.
Misioni i NASA-s, Artemis II, i cili është caktuar të niset më 6 shkurt 2026, do të dërgojë katër astronautë në një udhëtim dhjetëditor rreth Hënës, pas së cilës ata do të kthehen në atmosferë të Tokës me një shpejtësi rekord prej rreth 40 mijë kilometra në orë.
Edhe pse ky mision nuk përfshin ulje në sipërfaqen e Hënës, ai është një hap kyç në planin amerikan për të vendosur një prani afatgjatë njerëzore jashtë orbitës së ulët të Tokës.
Faza tjetër e programit Artemis
Artemis II është misioni i dytë i programit Artemis të NASA-s, i nisur në 2017 me qëllimin e rikthimit të njerëzve në Hënë dhe, më pas, edhe dërgimin e astronautëve në Mars. Misioni vjen pas fluturimit testues pa ekuipazh të Artemis I, i cili rrotulloi rreth Hënës në fund të vitit 2022, raporton euronews.
Astronautët do të fluturojnë në anijen kozmike të quajtur Orion, e cila do të niset nga raketa Space Launch System (SLS). Do të jetë hera e parë që njerëzit përdorin këto anije dhe do të jetë hera e parë që një ekuipazh i afrohet Hënës që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972.
Fluturimi testues si përgatitje për uljen
Ndryshe nga misionet e ardhshme, Artemis II nuk është menduar për të ulur astronautët në sipërfaqen e Hënës. Në vend të kësaj, ekuipazhi do të rrotullohet rreth Hënës, do të kalojë pas anës së largët dhe pastaj do të kthehet në Tokë. Misioni shërben si një test gjithëpërfshirës i sistemeve që do të përdoren për misionet e ardhshme me ulje.
NASA dëshiron të tregojë se anija kozmike, raketa dhe teknologjitë për mbajtje të jetës janë të sigurta dhe të besueshme për udhëtimet njerëzore në hapësirë të thellë. Ky skenar i misionit është i ngjashëm me atë të Apollo 8 në vitin 1968, kur astronautët u rrotulluan rreth Hënës pa u ulur.
“Arritje e jashtëzakonshme teknologjike”
Edhe pse mund të duket modeste krahasuar me uljen në Hënë, misioni Artemis II ka rëndësi të madhe politike dhe strategjike. Dërgimi i njerëzve jashtë orbitës së ulët të Tokës kërkon angazhim afatgjatë financiar, teknologji të qëndrueshme dhe mbështetje politike të vazhdueshme. Misionet me ekuipazh dërgojnë një mesazh të fortë për seriozitetin e qëllimeve dhe nxisin partnerët ndërkombëtarë dhe kompanitë komerciale që të bashkërendojnë planet e tyre me ato të NASA-s.
Ekuipazhi ndërkombëtar
Ekuipazhi i misionit Artemis II përbëhet nga katër astronautë: tre amerikanë – Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch – dhe një astronaut nga Kanadaja, Jeremy Hansen. Pjesëmarrja e Kanadasë nënvizon karakterin ndërkombëtar të programit Artemis, të cilit deri më tani i janë bashkuar më shumë se 60 vende.
Gjatë udhëtimit dhjetëditor, ekuipazhi do të testojë sistemet kryesore të mbajtjes së jetës në Orion – përfshirë ajrin, ujin dhe pajisjet e sigurisë – dhe do të provojnë edhe sistemet e reja të WC-së për hapësirë, përmirësime të mëdha krahasuar me kohën e misioneve Apollo.



