Njeriu me dhjetë plagë

04 maj 2023 | 18:11

Shkruan: Ismail Syla

1.

Vetëm një vit dallojmë në moshë me Imer Deliun (1960) nga Abria e Epërme (Drenas) emri i të cilit më kishte mbetur në mendje që nga artikulli në gazetën “Koha Ditore” e 1 tetorit 1998, kur gazetarja Valbona Mehmeti kishte takuar Imerin më 30 shtator, pesë ditë pas masakrës së kryer nga forcat policore dhe ushtarake serbe në Abri të Epërme, ku u masakruan 25 anëtarë të lagjes Deliu, dhjetë prej të cilëve anëtarë të ngushtë të familjes së Imerit. Artikulli mban titullin “Na vranë dhe ikën – lanë gjurmët e krimit”, e ku në fund të tij ishte botuar një foto e Imerit me djalin e shpëtuar, Albertin (1996).

Të enjten e 27 prillit 2023, mua, Afrim Hysenajn (55 vjeç) dhe Ramadan Hysenajn (68 vjrç) në odën e tij na pret me bujari Imeri, të cilin, për arsye emocionale e kishim kursyer nga vizita paraprake e vendndodhjes së krimit dhe masakrës së 26 shtatorit 1998, te “Zabeli i Rrajëve” E pyes Imerin për kuptimin e mikrotoponimit “Zabeli i Rrajëve” dhe ai tregon se toka aty është ranore, uji e bart dheun dhe zbulohen lehtë rrënjët e ulzave, qarrit dhe bungut, drurë që e pupullojnë atë vend pothuaj të rrafshtë.

Është për keqardhje se si vendi i masakrës i është lënë mëshirës së natyrës. Aty rriten drurët, bari dhe vegjetacioni ashtu siç rritet çdo gjë spontanisht në natyrë. Asnjë shenjë, asnjë rrugicë, asnjë gjurmë e kujdesit institucional në këtë korie drurësh, pronë në emër të Bajram Hysenajt, siç shpjegon veprimtari shumë vjeçar i fshatit, Ramadani. Gjethimi i drurëve në këtë ditë prilli është në fazën fillestare. Afrimi me imtësi dhe saktësi i shpjegon vendet ku kishin qenë tendat dhe vendet ku ishin gjetur trupat e të vrarëve dhe të masakruarave më 26 shtator 1998. Ai gjen një mbetje rrobe ende të patretur nga dheu.

2.

Imeri nuk e ka të vështirë a fillojë bisedën për kohën paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj. I përket një familjeje që bukën e gojës e kanë nxjerrë me djersë. Edhe në kohën kur argati ka qenë krejt i lirë sa për pesë kilogramë sheqer, nuk kam ndenjur kot, thotë Imeri. Tregon se gjatë viteve 90–a kur arsimi ishte në kushte të mjera, ai e ngarkonte traktorin me dru dhe i çonte në shkollën e Likofcit, ndonëse nuk e kishte asnjë fëmijë në shkollë. Kjo bënte që të respektohej nga shkolla. Tregon për përndjekjet nga policia serbe, duke përkufizuar robërinë si gjënë më të ndyrë në këtë botë. Flet për kthimin e tij në luftë. Për familjen e cila lëvizte në territore të ndryshme të Drenicës, në kohë ofensivash.

Flet edhe për ditën e kobshme të 26 shtatorit 1998. Rrëfimi i tij është i qartë, i rrjedhshëm, i ngulitur thellë në kujtesë. Mua më kombinohet rrëfimi i ringjallur tash në odë, me rrëfimin e shkruar nga Afrimi në librin “Toka skuq e qielli nxin”, një tekst monografik për masakrën e Abrisë së Epërme.

3.

Makineria vrastare e policisë dhe ushtrisë serbe, kishte filluar fushatën e egër me ofensivat e fund verës 1998, duke shpërfaqur natyrën e plotë kriminale, duke shfryrë mllefin shekullor antishqiptar edhe mbi popullatën civile të paarmatosur. Më 25 shtator në Abri të Epëtme (te vendi i quajtu Fusha e Milimerit) kishte pasur një qëndresë nga ushtarët e UÇK-së (Afrim Kiçina, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli, Afrim Hajdari) përballë forcave serbe. Një makinë ushtarake kishte rënë në minat e UÇK-së. Si veprim hakmarrës, dora kriminale të nesërmen preku në pjesën më të ndjeshme të popullatës. “Masakra kishte nisur në oborrin e shtëpisë, me vëllain, Ademin, i cili sigurisht kishte shkuar në shtëpi për ta shuar zjarrin,” kujton Imeri edhe pas 25 viteve. Anëtarët e familjes së tij, bashkë me të tjerë ishin zhvendosur nga shtëpia në një korie, në tenda najloni, në zabelin me emrin e mësipërm, ndërsa Imeri merrte pjesë në luftime me ushtarët.

Pas largimit të forcave serbe Imeri gjen njërin pas tjetrit trup e të vrarëve: të vëllait, Ademit, të fqinjit 95 vjeçar, Fazliut, të djalit të axhës, të Aliut, të Pajazitit, të hallës së tij, Havës, të djalit të tij Jetonit, të nënës, Hamides, të kunatës, Luljetës, (shtatzënë) të djalit të vëllait, Valmirit, të gruas së tij Lumnijes, të vajzës së tij, Menduhijes, (e gjen të gjallë vajzën tjetër, Diturinë, e cila nuk mbijeton), të kunatës, Mihanes, të Donjetës, të Gentianës, të Zahides.

4.

Në librin “Toka skuq e qielli nxin” secilën prej tyre Imeri e përshkruan me imtësi në momentin si i kishte parë. Ua përshkruan me saktësi fotografike gjurmët e predhave dhe pozicionin e trupit në momentin e dhënies shpirt. Dardha për nënën dhe ora e dorës e Jetonit të emocionojnë në mënyrë të veçantë. Një orë numerike plastike, që vezullonte në dorën e djalit të madh të Imerit, të vrarë mizorisht. Ora, për të cilën shpresoja se ekziston, fatkeqësisht ishte djegur bashkë me veturën e Imerit, gjatë ofensivave të vitit 1999.

Në “Zabelin e Rrajëve ” erozionin shekullor e mbushi gjaku dhe trupat e masakruar të fëmijëve, grave, burrave dhe pleqve të lagjes Deliaj. Madje, as foshnja në trupin e nënës nuk u kursye.

Në këtë skenë tmerri dhe tragjedie, Imer Deliu arrin të gjejë forcë të mbijetojë dhembjen njerëzore. Përmasa e krimit ka prekur dhe shpuar tejpërtej mishin, ashtin, zemrën e tij. Mendja mbetet mendje e nuk rrëshqet në çmendje. Kjo është mrekulli hyjnore. Është tejkalim i sprovës biblike dhe i barrës historike njëkohëisht. Ngadhënjim i moralit jetësor përballë humbjes substanciale, të humbjes së jetëve të më të dashurve në mënyrën më mizore.

Ishte kohë vjeshte, me shi, me mjegull, me baltë. Edhe në këtë mot të zymtë dhe me gjithë ata anëtarë të humbur, Imeri gjen forcë. Për të bartur trupat e të vdekurve, për të menduar varrosjen e tyre. Për të hapur varre. Me gjithë dramën e brendshme, me gjithë lodhjen, ai e shtyn varrimin e më të dashurve pas propozimit që të mos mbulohet me dhé përmasa e kësaj masakre, por të dokumentohet. Pajtohet që të pritet ardhja e Murat Musliut të KMDLNJ nga Skënderaj. Dhe bëhet fotografimi dhe incizimi i trupave të masakruar. Masara e Abrisë merr dhenë. Gazetaria ndërkombëtare dhe vendore vërshon në Abri të Poshtme. Imeri duron të mos i copëtohet zemra. I vdes vajza e vogël, Dituria e cila nga qëndrimi nën shi për dy ditë sëmuret dhe nuk mund të jetojë më. Thellohet tragjedia, por zemra dhe mendja e Imerit qëndrojnë. Imeri në çdo kohë kishte armë në brez, por jo për dëshpërimin e tij, po për ta çuar deri në fund idealin, zotimin për ta çliruar vendin nga qizmja armike, nga dora kriminele serbe.

Të rënët e tij ishin obligim shtesë jete dhe lufte për liri.

5.

Tragjedia e familjes Deliaj dhe e lagjes Deliaj merr botën. Fotografitë e masakrës së Abrisë botohen në shtypin prestigjioz botëror. Fotot e grave shtatzëna të masakruara, të pleqve mbi 90 vjeçarë i boton edhe  “New York Times” amerikan. Gazeta zë vend në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.  Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright kur sheh këto pamje merr një zotim të ri, një betim të ri, që do ta jetësojë. Në librin e saj “Zonja Sekretare” ajo shkruan:

“Më 30 shtator organizuam një takim të Komisionit të Drejtuesve në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Para nesh mbi tryezë ishte një fotografi e botuar në numrin e mëngjesit të gazetës New York Times. Në qendër të fotografisë ishte një kufomë, pothuaj skelet, gojëhapur, që dukej sikur po nxirrte një klithmë të fundit të heshtur. Ishte trupi i pakallur i njërës prej 18 grave, fëmijëve dhe pleqve në qytetin Obrinja e Lashtë (fshatin Abri e Poshtme, vër. ime) të Kosovës. Disa ditë më parë policia serbe kishte gjetur 15 veta të fshehur në një grykë dhe i kishte vrarë. Tre burra, përfshirë një plak ulok 95-vjeçar, i kishin djegur të gjallë brenda në shtëpitë e tyre. Në fshatrat përreth ishin gjetur 16 civilë të vrarë me armë zjarri ose të qëlluar për vdekje me mjete të tjera. Kjo ishte përgjigjja që Millosheviçi u jepte Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s. Atë mëngjes, tek shihja fotografinë dhe lexoja artikullin që e shoqëronte, i thashë edhe një herë vetës se isha betuar të mos lejoja të përsëritej kasaphana që kishim përjetuar në Bosnjë. Atje ishin vrarë disa qindra mijë njerëz. Në Kosovë shifra e fundit ishte për disa qindra veta. Për shumicën e njerëzve nuk ishte tepër vonë, por në duhej të tregoheshim të vendosur.”, shkruan sekretarja Albrigt (452 – 453).

6.

Imeri nuk i duket mjaft gostita brenda odës. I duket si këputje muhabeti. Dëshiron ta pimë një kafe në një pikë karburanti në Baicë. Aty vazhdon bisedën për aktualitetin, për politikën, për ekonominë, për ikjen e të rinjve. Nuk pajtohet me ankesën se në Kosovë nuk ka punë. Ai tregon për stilin e modest të jetesës. Është në gjendje që të punojë çdo lloj pune, deri edhe atë saldimit. Flet për periudhën e pasluftës, për shpirtin solidar të bashkëfshatarëve të tij. Rrënjët e një shpirti të barazisë dhe drejtësisë i sheh te tradita e pleqnarit legjendar Xhemajl Abria. Tregon raste të harmonisë në shpërndarjen e ndihmave pas luftës, për bashkëpunim të përkryer gjatë rindërtimit të fshatit. Nuk ka shpirt të ngushtë dhe ankimor. Flet për djalin, Albertin e diplomuar, me fakultet, e që punon kamerier. Nuk kërkon asnjë privilegj. Flet për gazetarët që e ftojnë në intervista, për defektin e tyre profesional që duan ta prekin në pika të ndjeshme. Si ajo për hakmarrjen. “A do hakmerresha? – Kurrë nuk do të mund të ngrehja këmbëzën e armës ndaj fëmijës, gruas, plakut e plakës qoftë ajo serbe, apo çdo kombi tjetër”, thotë Imeri.

Imeri që midis lirisë dhe sakrificës thotë se gjithmonë do ta bënte sakrificën për liri. “Asgjë më të fëlliqtë se robëria nuk ka”, e thotë shpesh Imer Deliu. Imeri, i thjeshtë, i urtë, i qetë, modest, i qëndrueshëm burrëror, i përmbajtur. I shumë përmbajtur, sepse vetëm ai dhe Zoti e dinë se si arrin t’i përballojë dhe zotërojë dhembjet e tragjedisë personale, që u bë dritë e fatit tonë kolektiv, dritë e lirisë sonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, përmes një postimi…