Njësia A5 e TC Kosova A rikthehet në operim

23 qershor 2025 | 12:21

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar të hënën se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme. “Procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike.

Punimet e realizuara përfshijnë: Sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse (i përfunduar të premten); Sanimin e rrjedhjeve në ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës (i përfunduar të dielën); Pastrimin me pompë presioni të ftohësve të hidrogjenit; Pastrimin e komorave në hyrje të kondenzatorit; Punime mirëmbajtëse në pajisjet e sistemit MRRK; Pastrimin e kuotave rreth kaldajës nga materiale të huaja – për rritje të sigurisë dhe efikasitetit operacional”, ka njoftuar KEK-u.

Sipas këtij njoftimi, ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.

Kryeshefi ekzekutiv i KEK sh.a., Gramos Hashani, ka falënderuar të gjithë punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre. “Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”, ka theksuar ai.

Duke marrë parasysh interesimin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve, veçanërisht të banorëve që jetojnë në afërsi të Termocentralit Kosova A, KEK-u ka dhënë edhe një sqarim. “Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3 – 4 orë. Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet. Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit”, ka njoftuar KEK-u.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën në Banjë të Pejës kanë nisur përgatitjet e…