Njësia e Trafikut të Policisë vendoset në Komoran, Lladrovci: Po rritet siguria
Kryetari i Drenasi, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se njësia e Trafikut e Policia e Kosovës është vendosur në Komoran, pranë autostradës, në një pikë që ai e cilësoi si “zemra e Kosovës”.
Sipas tij, këto ambiente të reja do të shërbejnë për rritjen e efikasitetit të punës së Policisë dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e sigurisë për qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion.
Lladrovci theksoi se pjesëtarët e kësaj njësie janë “ambasadorë të shtetit”, pasi monitorojnë nga afër sigurinë në rrugët kryesore të vendit, ku qarkullojnë edhe mysafirë dhe shtetas të huaj.
Postimi i plotë i tij:
Jam i lumtur që sot, njësia e Trafikut të Policisë së Kosovës, është vendosur në Komoran, buzë Autostradës, në zemrën e Kosovës. Këto ambiente, do të jenë ambiente për punën e Policisë tonë, më e mira në rajon dhe më gjerë dhe do të shtoj ndjeshëm sigurinë edhe për qytetarët e kësaj ane.
Anëtarët e kësaj njësie janë ndër ambasadorët e shtetit të Kosovës, sepse, përcjell nga afër, sigurinë e aortës së qarkullimit rrugor në Republikën tonë, komunikacionin në të cilën ndodhen mysafirë dhe shtetas të huaj në vendin tonë.
Me një fjalë të shkurt, e përgëzova Komandantin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Hoxhën, drejtuesit e lartë të Policisë, policët e pranishëm dhe Kapiten Morinën duke i inkurajuar në zbatimin e ligjit dhe barazinë para ligjit.
Punë të mbarë dhe suksese!
Krenar me Policinë e Kosovës!



