Njësisë speciale operative të policisë i shtohen 48 pjesëtarë të rinj

04 shtator 2025 | 16:36

Këtë të enjte është mbajtur ceremonia solemne e certifikimit të 48 pjesëtarëve të rinj të Njësisë Speciale Operative (NjSO) të Policisë së Kosovës, të cilët me sukses e përfunduan një trajnim bazik për operatorë të NjSO-së.

Sipas policisë, kjo ceremoni është përmbyllje e një rrugëtimi profesional ku kandidatët më të përgatitur, më të qëndrueshëm dhe më të vendosur, janë bërë pjesë e kësaj njësie elitare të Policisë së Kosovës.

“Po ashtu në këtë ceremoni u certifikuan edhe 5 instruktorë të trajnimit themelor për NJSO-në si dhe u ndanë mirënjohje për instruktorët për kontributin dhe punën e palodhshme të tyre në trajnimin e kësaj gjenerate të operatorëve të rinj të NjSO-së”.

“Këta pjesëtarë të rinj, të përgatitur nga instruktorë me përvojë dhe përkushtim të lartë, janë tashmë gati të përballen me detyrat dhe sfidat policore – gjithmonë në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë, në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar policia.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtor i Departamentit të Njësive Speciale kolonel Shabani, eprorë të policisë, instruktorë, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, KFOR-i amerikan si dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori shqiptar Nedim Bajrami,është lënë jashtë listës për fazën e…