
Njohësi profesional i pronave i bashkohet listës së Bekë Berishës për Prishtinën
Një nga njohësit më të shquar të çështjeve pronësore në Prishtinë, Halil Gashi i është bashkuar ekipit të Bekë Berishës për Prishtinën. Gashi do të jetë kandidat për asamble në zgjedhjet e 12 tetorit.
“Përshëndetje Prishtinë. Të dashur miq dhe familjarë. Unë jam Halili. Kam lindur e jam rritur në Velani – një lagje që gjithmonë ka qenë simbol i rezistencës, arsimit dhe shpirtit qytetar. Kjo tokë më mësoi vlerat që më kanë formuar si njeri: punën e ndershme, solidaritetin dhe përkushtimin për të çuar përpara një Prishtinë që e duam të gjithë. Vij nga bota e biznesit, ku kam ndërtuar përvojë të fortë dhe kam përballuar sfida reale. Sot po kthehem me një vizion të qartë: një Prishtinë më funksionale, më e drejtë dhe e ndërtuar mbi nevojat e qytetarëve, jo mbi interesat e ngushta. Velania më mësoi se ndryshimi fillon nga rrënjët. E njoh çdo rrugicë të këtij qyteti dhe e di saktësisht çfarë i mungon: Uji i pijshëm në lagje si Veterniku dhe fshatrat përreth; Zgjidhje reale për problemet pronësore dhe objektet e keqmenaxhuara; Infrastrukturë që u shërben njerëzve, jo vetëm bizneseve të lidhura me pushtetin. Ky është vetëm fillimi. Po hyj në këtë garë sepse Prishtina ka nevojë për zëra të guximshëm, me zemër, me përvojë dhe me vepra konkrete”, ka shkruar ai në “Facebook”.