Njohja e pasaportave, kryediplomati spanjoll: S’mund të bëjmë sikur Kosova nuk ekziston

15 janar 2024 | 12:10

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka thënë se njohja e pasaportave nuk nënkupton që ky shtet njeh pavarësinë e Kosovën.

Në një intervistë dhënë për medien spanjolle “El Periodico De Espana”, ministri Albares, ka theksuar se Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania.

“(Ato deklarata) u bënë duke shpjeguar se si ishte situata në atë kohë kur u mor vendim në Këshill që ata që kanë pasaportë të Kosovës mund të hyjnë në zonën Shengen pa vizë. Ishte një situatë që ishte e saktë në atë kohë. Ai vendim merret nga muaji mars deri në muajin prill, kur edhe ai ka kaluar përfundimisht në Parlamentin Evropian, është miratuar nga Këshilli në Parlamentin Evropian, është publikuar dhe është vendosur që të hyjë në fuqi në 1 janar të këtij viti. Kalojnë shtatë muaj dhe Spanja duhet të përshtatet ashtu si pjesa tjetër e shteteve që nuk e njohin. Prandaj, filluam të pranojmë pasaportat kosovare. Edhe pse kjo nuk do të thotë, siç tregojnë këshillat juridike spanjolle dhe të të gjitha shteteve që nuk e njohin Bashkimin Evropian, dhe e them edhe një herë, asnjë njohje të Kosovës apo sovranitetit të saj. Ne jemi pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e njohim Kosovën dhe të pestë i pranojmë pasaportat e tyre”, ka thënë Albares.

I pyetur se a nuk është atëherë hapi i parë, nëse jo drejt njohjes formale, por drejt normalizimi, ministri Albares ka thënë se ky është një nga mashtrimet e Partisë Popullore në Spanjë.

Albares ka thënë se Spanja kurrë s’do të jetë pengesë në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit e as afrimin e Prishtinës me Bashkimin Evropian, dhe se Spanja nuk mund të pretendojë sikur Kosova nuk ekziston.

“Sigurisht që jo. Ky është një nga mashtrimet dhe jo i pari i Partisë Popullore. Unë e bëj atë citim duke shpjeguar pozicionin e Spanjës në kohën kur merret ai vendim, por ai do të duhet të përshtatet. Por e kam thënë shumë herë dhe e them sërish këtu sot, se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. As për afrimin mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian. Sepse ai territor i Kosovës është brenda Ballkanit Perëndimor, dhe shkon në samitet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Dhe përfaqësuesi i lartë bëri një punë të lavdërueshme dhe ne e mbështesim atë. Nuk mund të pretendojmë se nuk ekziston. Por kjo nuk do të thotë se ne e njohim sovranitetin e saj. Unë do t’i kërkoja Partisë Popullore të ndalonte lëshimin e një mashtrimi që e di se është një mashtrim”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jadon Sancho pas një periudhe aspak të mirë në Manchester…