Njohja nga pesëshja e BE-së, Escobari: Pyetini ata, shpresoj ta bëjnë së shpejti

21 mars 2023 | 15:12

Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është pyetur për pesë shtetet e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se për këtë pyetje duhet të japin përgjigje këto vende, por shtoi se shpreson që në një të ardhme të afërt, pesëshja e BE-së të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

“Epo, së pari, çështjen e mosnjohjes nga pesë vende të Bashkimit Evropian duhet t’ua drejtoni atyre. Ne shpresojmë që të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën në të ardhmen e afërt. Është e rëndësishme që Kosova, e cila është pjesë e familjes evropiane, të njihet nga pjesa tjetër e familjes evropiane”, ka thënë Escobari.

Më tutje, Escobari ka thënë se është e rëndësishme që fqinjët në Ballkanin Perëndimor të njohin njëri-tjetrin.

“Dhe unë besoj se një nga gjërat që duhet të ndodhë në rajon është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të njohin njëri-tjetrin dhe të kenë marrëdhënie paqësore dhe produktive”, ka thënë ai.

Escobari ka dhënë edhe një koment mbi çështjen e mosnënshkrimit të marrëveshjes së arritur në Ohër.

“Dhe sa i përket nënshkrimit, dua ta sqaroj: ky është një detyrim ligjërisht i detyrueshëm për të cilin është pajtuar Serbia, ashtu sikurse Kosova. Mesazhet rreth nënshkrimit janë me të vërtetë duke u fokusuar në diçka që nuk ka një ndikim material në faktin se ne kemi një marrëveshje. Është një marrëveshje dhe ne po e trajtojmë si të tillë dhe të dyja palët janë angazhuar me seriozitet në të dhe Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se ishte një marrëveshje në sytë e tyre, ashtu si edhe të dy liderët. Pra është një marrëveshje. Dhe përqendrimi te nënshkrimi është vërtet i panevojshëm, sepse ne – jemi aty; është një marrëveshje. Dhe ne do të vazhdojmë përpara me këtë”, ka thënë Escobari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fundjavë u zhvillua xhiroja e 26-të e Prince Caffe…