Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë për shtetin më të ri në Evropë.
Në një postim në platformën X, Spiropali shkroi:
“Urime Republikës së Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetësisë së saj nga Republika Arabe e Sirisë.
Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar, si dhe mbështetjes së miqve dhe partnerëve që kanë kontribuar në procesin e njohjes dhe ndërtimit të shtetit të saj.
Me këtë rast, shprehen falënderime të veçanta për Lartësinë e Tij Mbretërore, Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për mbështetjen në realizimin e kësaj njohjeje.
Jam e bindur se, njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do ta sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve.”