
Norris: Dua titullin kampion në Formula 1
Pas vendit të dytë vjet në botërorin e Formula 1, piloti britanik Lando Norris synon të rrëmbejë kurorën këtë sezon. Rivali kryesor për titull është shoku i tij i skuadrës te McLaren, australiani Oscar Piastri. Aktualisht, Piastri ka një epërsi prej 8 pikësh në gjysmën e sezonit, por Norris, pas një periudhe zhgënjyese, vjen nga dy fitore radhazi që i kanë ringjallur ambiciet. Gjithsesi, ai është kritikuar shpesh për një mungesë të perceptuar të vendosmërisë konkurruese dhe qëndrueshmërisë nën presion.
“Secili ka ëndrrat dhe aspiratat e veta. Dhe padyshim, e imja është të fitoj dhe të qëndroj në shkallën më të lartë. Unë fillova të garoj vetëm sepse më pëlqen të ngas makinën, jo sepse doja të fitoja një garë. Burimi im më i madh i motivimit është ekipi im”, ka thënë Norris, i cili foli edhe në lidhje me presionin: “Momenti kur ndjeva presionin më të madh ishte Abu Dhabi, sezonin e kaluar. Në atë moment ndjeva sikur kisha të gjithë ekipin në shpinë. Shumë njerëz varen nga unë për të fituar kampionatin. Dhe e dija që duhej ta bëja këtë. Ishte një histori e shkëlqyer. Kështu që ishte kënaqësi të isha pjesë e saj”.
“Ëndrra ime është të bëhem kampion bote, por kjo është një gjë personale. Nuk është diçka për të cilën do të doja që njerëzit të më kujtonin pas 30 vitesh. Mendoj se bota ecën shumë shpejt dhe fitimi i titullit ndoshta nuk do të thotë shumë pas 30 vitesh. Do të doja të më kujtonin vetëm për faktin se isha një njeri i mirë, më shumë se për çdo gjë tjetër”, ka deklaruar Norris.