
Norris triumfon në Monako
Lando Norris regjistron fitoren e tij të dytë sezonale në Formula 1, pas suksesit në garën hapëse të kampionatit në Australi. Piloti britanik i McLaren triumfon në Çmimin e Madh të Monakos, duke lënë pas vetes Charles Leclerc, në një garë klasike me 78 xhiro, strategjike dhe e tensionuar njëkohësisht, e ndikuar nga rregulli i ri i detyrueshëm për dy pit stop-e.
Në vendin e tretë renditet Oscar Piastri, me makinën tjetër të McLaren, i cili ruan kreun e renditjes së përgjithshme, por tani Norris i është afruar vetëm tri pikë larg, falë kësaj fitoreje.
Max Verstappen, që kreu një pit stop të vonuar në xhiron e fundit, e mbylli garën në vendin e katërt, përpara Lewis Hamilton me Ferrari-n e tij, që u rendit i pesti.
Surpriza e ditës ishte debutuesi Isack Hadjar nga Racing Bulls, që përfundoi në vendin e gjashtë, përpara Esteban Ocon (Team Haas), Liam Lawson me makinën tjetër të Racing Bulls dhe dy pilotëve të Williams, Alexander Albon dhe Carlos Sainz, që mbyllën pozitat me pikë në top 10.
Një tjetër garë emocionuese në këtë sezon gjithnjë e më të ngjeshur dhe të paparashikueshëm.